Pse nuk dua ta jap numrin tim IMEI | Debat 24

Pse nuk dua ta jap numrin tim IMEI

By B C
In Ide
August 14, 2014
0 Comments
2283 Views

fatos_lubonja_rijetimi_i_burgu

Lexova para disa ditësh, nëpërmjet rrjetit, një përgjigje shpjeguese që ka dhënë zëdhënësja e ministres Harito, pas kërkesës së gazetarit Gjergj Erebara, lidhur me projektvendimin për t’i detyruar qytetarët që të japin numrin IMEI të celularit.

Ishte një shpjegim që nuk më bindi aspak ta jap numrin IMEI të celularit im. Po jap këtu disa nga argumentet që më lindën aty për aty.

Së pari më ra në sy se në atë tekst nuk denjohej, edhe për respekt të shqetësimit që përmban kjo kërkese e qeverisë, të thuhej qoftë edhe një fjalë e vetme për faktin se cenimi i privatësisë, gjithsesi, është një problem. Madje nga më të debatuarit sot pikërisht në botën që përmendet aty si argumenti i parë duke thënë se kështu bëhet edhe në Francë apo gjetkë. Nuk po hyj ta trajtoj këtu tematikën e privatësisë kaq pak të respektuar në Shqipëri, por me dy fjalë do të thosha se çështja përmblidhet në atë se duhet të ketë gjithnjë një raport bindës në favor të përfitimeve që kemi kur vendosim të japim diçka nga privatësia jonë. Dhe duke pasur parasysh se, siç shkruajnë mjaft autorë që janë marrë me këtë temë, dhënia e numrit IMEI bën që jeta jonë private të bëhet një libër i hapur për institucionin që do të ngarkojë qeveria me këtë punë, problemi nuk është i vogël.

Sa për ilustrim po them vetëm një rast. Selman Ruzhdiu, edhe pse i kërcënuar me jetë, bëri si bëri dhe e çliroi veten nga skorta që e shoqëronte gjithkund që të gëzonte privatësinë e tij. Kurse neve po na propozohet një “skortë” elektronike që supozohet se mund të na shoqërojë hap pas hapi për të na mbrojtur… nga çfarë? E këtu vijmë tek argumentet që jep shpjegimi që lexova. Argumenti i parë është se “Telefonat celularë smartphone kanë shumë vlerë në treg. Për rrjedhojë, janë objekt vjedhjeje dhe vjedhjet krijojnë një treg informal e mbajnë gjallë rrjete kriminale”. Siç e kuptoj unë këtë frazë, celularët mund të vidhen që të tregtohen, dhe kjo mban gjallë me para hajdutët e celularëve. Mua më duket se ky argument mund të bëjë për të qeshur edhe vetë hajdutët e celularëve, sepse kjo është vjedhja më banale që mund të ndodhë në këtë vend ku për të bërë para nga Veriu në Jug shqiptarët kanë tregëtuar deri edhe njerëzit, kanë mbjellë marijuanë e çfarë nuk kanë bërë. Bën për të qeshur edhe më ata që celularët i ndërrojnë si fëmijët lodrat, për të blerë atë më të shtrenjtin e radhës. A nuk gjeti qeveria ndonjë regjistrim më të rëndësishëm sesa ky për të luftuar krimin? P.sh. llojet e makinave që kanë në përdorim qytetarët apo numrat e shtëpive e apartamenteve që zotërojnë, në mënyrë që t’i ballafaqojë pastaj me të ardhurat që fitojnë ligjërisht që të justifikojnë këtë pasuri si dhe taksat që kanë paguar mbi këto të ardhura? Por, në parim, edhe sikur celulari e rrobat e trupit t’i kemi të gjitha prej ari, a ia vjen të japim privatësinë tonë për t’i ruajtur ato nga vjedhësit? Për mua kjo është sikur, meqenëse ti ke në shtëpi sende të shtrenjta, qeveria të vendosë që nëpër të gjitha dhomat e shtëpisë tënde të ketë kamera që do të kontrollohen nga një ekip në Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që, nëse hyn e të vjedh ndonjë hajdut, ta kapë që të luftojë kështu kriminalitetin.

A ia vlen kjo mbrojtje kur ti jeton me idenë se gjatë kohës kur në shtëpinë tënde nuk do të shëtisin hajdutë këta të ekipit mund të kullosin sytë duke parë se çfarë stilesh përdori ti për të bërë seks, me kë e bën atë, me bashkëshortin/en apo me ndonjë tjetër, se si e ke stilin e urinimit, të dhjerjes e me radhë e me radhë. Dhe pastaj, me idenë se po pate ndonjë pretendim politik apo bën ndonjë punë që s’i pëlqen qeverisë, ata e kanë atje filmin e mund të ta nxjerrin. Pra, lidhur me argumentin e parë do të thosha se është më mirë të na e vjedhin celularin hajdutët për ta tregëtuar, sesa të hapim librin e jetës tonë private për të ruajtur celularin. Një arsye e dytë që na jep shpjegimi është se regjistrimi i numrave IMEI ndikon në pakësimin e tregut informal, i cili është mjaft i zhvilluar në Shqipëri.

Sepse thotë shpjegimi: “ne kemi njerëz sot që shkojnë për turizëm ose për punë në Amerikë dhe blejnë një telefon, ku siç dihet kushton më lirë se sa në vende të tjera, dhe mund të blejnë 10 a më shumë telefona, të cilët i sjellin në Shqipëri dhe i shesin. Në këtë rast aparatet hyjnë të pataksuara, shteti nuk përfiton asnjë qindarkë dhe konkurrohen në mënyrë të padrejtë edhe bizneset e rregullta”. Mua edhe ky argument më duket për të qeshur. Po pse, ata 10 celularët që sjellka nga Amerika një person qenkan problemi më i madh me informalitetin që paska ky shteti ynë? Pastaj, për këtë punë a nuk ka të tjera organe që duhet të merren, siç janë kontrollet doganore si këtu edhe në SHBA? Arsyeja e tretë qenka lufta kundër krimit të organizuar që kërcënuaka sigurinë tonë kombëtare.

Sepse gjithë sipas shpjegimit: “krimi i organizuar përdor gjerësisht komunikimet elektronike për veprimtaritë e veta joligjore”. Edhe ky argument çalon, për të mos thënë se është pa këmbë fare. Sa për mjete elektronike, krimineli i organizuar mund të përdorë kompjuterë edhe në këtë rast jo të tij, por ata të shumtë që ndodhen në publik. Nga sa di unë, ne kemi të detyruar me ligj regjistrimin e numrit të celularit. Kjo krijon edhe mundësinë për të lokalizuar vendin se ku është ndodhur celulari në një moment të caktuar p.sh. pasi ka ndodhur ndonjë krim apo njeriu ka pësuar ndonjë aksident; e në këtë rast, me gjithë problemin, mund të thuash se ia vlen barra qiranë. Po ashtu, sipas ligjit, në rastet kur për përdoruesin e celularit ka të dhëna që justifikojnë përgjimin e telefonatave të tij, atij dhe mund t’i përgjohen telefonatat, me vendim të gjykatës, pasi ai përbën rrezik për të tjerët. Por do të thosha se krijimi i mundësisë për të dëgjuar në çdo moment se çfarë po flet, siç duket se mund të ndodhë nëse ke dhënë numrin IMEI, më duket i tepërt edhe kur bëhet fjalë për një kriminel. Këtu mbarojnë argumentet shpjeguese të zëdhënëses së ministres, krejtësisht jo bindëse dhe të pamjaftueshme sipas meje. Këtu për mua fillojnë disa kundërargumente që janë shumë të rëndësishme, duke pasur parasysh kontekstin shqiptar veçanërisht.

Së pari, në shpjegimin e dhënë harrohet se në këtë vendin tonë kemi mbi njëzet vjet që nuk gjejmë dot një gjykatës e prokuror të paanshëm, një kryetar të komisionit zgjedhor të paanshëm, as edhe një drejtor Televizioni publik të paanshëm. Harrohet se edhe armët e plumbat e 21 janarit prokuroria i dërgoi në Amerikë për ekspertizë të paanshme, pasi ekspertiza, sipas ligjit tonë, duhet të bëhej nga Ministria e Brendshme, që nuk ishte e besueshme, pasi ishte në duart e maxhorancës së radhës. Harrohet se para ndonjë viti e ca kjo maxhorancë ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes se ka përgjuar opozitën duke keqpërdorur teknologjinë që duhej për të tjera punë.

Pra pyetja që të vjen natyrshëm është: kë paska ndër mend qeveria të vendosë në krye të këtij institucioni që mund të dijë jetën private të të gjithë shqiptarëve e njëherësh të na japë sigurinë se maxhoranca e radhës nuk do të abuzojë në mënyrë selektive? Unë për vete nuk besoj se ka ardhur një moment i tillë. Dhe për këtë mbështetem edhe në faktin se ne sot kemi një maxhorancë që ka ardhur në pushtet me parullën: le të bashkohen të gjithë plehrat për të rrëzuar Berishën; një maxhorancë së cilës ka kaq kohë që i kërkohet se pse ka futur në Parlament kriminelë të dënuar nga gjykata dhe nuk jep shpjegime.

A mund të ndihemi ne të sigurt që të japim të dhënat e jetës private në duart e ndonjë krimineli apo plehre që është marrë me drogë e krim apo që e ka diplomën të falsifikuar, siç po dalin sot shumë drejtues të maxhorancës së re? A nuk duhet të trembemi se nesër këta mund të thonë se duhet të përdorim çdo mjet që të mos rikthehet Berisha në pushtet dhe ndër këto mjete mund të jenë edhe përgjimet e cilitdo qytetar që është i pakënaqur nga qeveria? Dhe a nuk mund të na çojë kjo deri edhe te përgjimet e vetë njerëzve të maxhorancës sipas një sindrome paranojake që e kemi të trashëguar nga regjmi i kaluar?

Po shtoj edhe më: shpjegimi i zëdhënëses së ministres harron se, jo më larg se dy javë më parë u zbulua se njerëzit e institucionit që duhet të konsiderohej si më i sigurti, Banka Kombëtare, na paskan vjedhur paratë e thesarit. Mos harroni, o njerëz, se ne në celularët smartphone kemi të regjistruara edhe të dhënat e kartave të kreditit me të cilat blejmë online. A do të donit ju t’ia jepnit mundësinë për të blerë me kartat tuaja të kreditit një institucioni qeveritar shqiptar? Personalisht jo. Po vazhdoj edhe më tej: ne kemi sot prokurorë e policë që, si pa gjë të keq, nxjerrin sekretet e hetimeve dhe ua shesin gazetave për lekë. A do të donit ju t’ia jepnit të dhënat tuaja private një ekipi që nesër mund t’ia shesë ato gazetës së parë? Personalisht jo. Si përfundim do të thosha se ky projektvendim i qeverisë, në rastin më të mirë më ngjan me një makijazh që kërkohet t’i bëhet përbindëshit që kemi krijuar këta njëzet e kusur vjet duke i prerë pak qimet e mjekrës, por duke ia lënë çatallët e kthetrat të paprekura, kurse në rastin më të keq është djallëzia e vetë këtij përbindëshi, për të na sunduar, poshtërua e vjedhur edhe më keq. Historia jonë e deritanishme ka treguar se krimi më i organizuar në Shqipëri, që e ka kërcënuar dhe kërcënon seriozisht tërë kombin, elektronikisht dhe joelektronikisht, me celular dhe pa celular, ka qenë dhe mbetet shteti me në krye qeverinë e tij dhe Kryeministrin e tij. Nuk mundet një maxhorancë që ka vetëm një vit që ka ardhur në pushtet të na bindë se paska ardhur momenti i fitores së drejtësisë në këtë vend e të na kërkojë kaq shumë.

Përkundrazi, ajo që na duhet urgjentisht është se si t’i kontrollojmë ne ministrat e kryeministrat tanë. Ajo që na duhet urgjentisht të kontrollojmë është financimi i partive tona. Meqë ra fjala, Kryeministri i radhës ka bërë një goxha restaurim të Kryeministrisë nga brenda dhe të rrethinave të saj nga jashtë dhe thuhet se ky është bërë kundër ligjit se pa tender, jo nga para publike, por nga ndonjë oligark i radhës që pret shpërblimin e radhës, minimalisht të mos paguajë taksën e radhës. Dhe shuma e harxhuar me siguri është shumë më e majme sesa ato taksat që duhet të paguajnë ata që shesin 10 celularë të sjellë me valixhe nga Amerika. Le të na sqarojë më së pari ministrja Harito apo ministri Cani se si është kjo punë përpara se të na kërkojnë qimen në tra. Dhe më në përgjithësi le të bëjë më së pari kjo maxhorancë ligje që do të forconin kontrollet e konfliktit të interesave, ligje që do të forconin pavarësinë e institucioneve që duhet të jenë të pavarura prej pushteteve të tyre, le të tregojë me punë e vepra se paranë e taksapaguesit nuk e përdor për ta futur në xhepat e veta e për ta ndarë me oligarkët e vet, por për t’i shërbyer qytetarit dhe vetëm atëherë, kur të shohë se qytetarët kanë më shumë besim te shteti, të kërkojë edhe gjëra që sot për sot ata i shohin me frikë dhe mosbesim të madh.

Panorama

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'