Rrëfimi i Motër Maria Kaletës: Ja pse u përlot Papa Françesku | Debat 24

Rrëfimi i Motër Maria Kaletës: Ja pse u përlot Papa Françesku

By Debat24
In Media
September 23, 2014
0 Comments
688 Views

Papa MeshaEmisioni “Tonight Ilva Tare” ka transmetuar rrëfimin ekskluziv të Motër Maria Kaletës, gruas që përloti Papa Françeskun me sakrificat e saj gjatë viteve të diktaturës për të ruajtur besimin tek Krishti. Në një intervistë eskluzive për gazetaren Ilva Tare, ajo ka treguar si lindi tek ajo besimi, si u mbrujt ai përmes vuajtjeve të regjimit komunist, që e gjeti në moshën më të re, si e shndrroi atë në kooperativiste për afro 26 vjet e deri më sot, kur ajo si dëshmitare e pak të mbijetuarve, pati takimin që as në ëndrra s’e kishte imagjinuar, takimin me Atin e Shenjtë. Motër Maria rrëfen…“Kena jetuar në ahër të bagtive; 8 muaj. Ato 8 muaj nuk i harroj kurrë. Ka mbrritë me e thënë meshën – ti ban vaki s’ke mbërri me e ndie, si kanë kenë dikur katakombet – e ka thanë pa e parë kurrë një njeri, vetëm na të shpisë: unë, nana e ndonjë që kishim fort besim. E ka thanë mshehtas njaty…” Kështu shprehet ajo në gjuhën e saj me dialekt, por për hatër të lexuesit, që i pret me interes, fjalët e saj gjatë kësaj interviste do t’i sjellim në shqipen letrare, duke shpresuar të mos e cenojmë ëmbëlsinë dhe kuptimin e tyre.

Ilva Tare: “Tonight” ka dalë sot nga studioja e Tiranës, për të ardhur në fshatin Pistun, 23 km larg nga Shkodra, ku jeton motër Maria Kaleta. Ajo sot është 85 vjeçe. Nuk besoj se keni dëgjuar më parë për të, por dje, gjatë audiencës me Atin e Shenjtë, ajo u kthye në një figurë botërore. Qendra polivalente, e ndërtuar në vitin 2005, është ndër të paktat, të vetmet në Shqipëri të ndërtuara në nder të saj. Ndodhem me Motër Maria Kaletën.

Ilva Tare: Rrugë e vështirë për të dalë nga fshati…
Motër Maria: Pak, po…

E bën shpesh?
Jo, s’e bëj shpesh, ka makinë tani…

Po dje, të rëndoi shumë?
Jo, pak.

Si ishte dita e djeshme?
Dita e djeshme ka qënë me shumë emocione, me shumë domethënie. Mbasi kaloi gjithçka mirë, falemnderit Zotit që nuk ndodhën gjëra të papritura. E kështu, pasi shkoi mirë gjithçka, falenderojmë Zotin për ardhjen e Papës; falenderojmë Zotit edhe për të gjithë ata që kanë punuar për mbarëvajtjen e kësaj dite.

Pate emocion kur po lexoje një pjesë të jetës tënde, që nuk ishte dhe aq e bukur? Kishte momente të vështira të persekutimit, të mundimeve. Si u ndjeve?
Doemos, pak emocione kam pasur, por megjithatë, jo jo. Më janë bërë si të zakonshme këto fjalë tani duke i përsëritur.

Të zakonshme mbase, por kur i thua para Atit të Shenjtë…Si t’u duk nga afër Papa Françesku?
M’u duk si të isha para një shenjti, gjë që nuk e kam parë as në ëndërr, por falenderoj Zotin, në këtë moshë që jam, falenderoj Zotin shumë që arrita ta shoh edhe këtë ditë, të marr edhe bekimin prej tij, sepse gjë e jashtëzakonshme është, sidomos për pjesën time.

Çfarë të tha kur u takuat? Pati një moment kur përfunduat fjalët tuaj, shkuat e u përkulët përpara tij, por ai nuk donte t’ju linte, ju kapi dhe ju përqafoi. Çfarë ju tha?
Vetëm më ka dhënë bekimin. I kërkova bekimin për të gjitha nevojat që kisha, në shqip, ma merr mendja s’më ka kuptuar, megjithatë e mora bekimin prej tij për çfarë i kërkova.

Çfarë i kërkove?
Ah (buzëqesh). Këto janë gjëra personale…

I kërkove gjëra personale? Shumë interesante. Besoj se ju jeni e vetëdijshme zonja Maria Kaleta se dje keni qënë në vëmendjen, jo vetëm të medias shqiptare, por të mbarë botës në audiencën që patët me Papa Françeskun dhe sigurisht, historia juaj ka prekur shumë vetë. Ju sot jeni 85 vjeçe. Por, sii ka qënë ai moment? Si ka ndodhur? Çfarë ke ndier?

Dëgjoja thirrje, edhe si fëmijë më tepër, për të hyrë në jetën rregulltare, pa ditur se çfarë ishte jeta rregulltare. Megjithatë, e kisha me shumë kënaqësi. Kurse baba ka qënë ai që më ka kundërshtuar se më thoshte që një fëmijë të vetëm, të shkoj “me e ndry”, nuk është e drejtë. Kurse axha e nana më kanë lënë. Axha tha: “Unë përgjigjem për të; dy vjet të rrijë si konviktore dhe më pas, të në i pëlqeftë të rrijë, në s’i pëlqeftë,të vijë në shtëpi.”

A kishe shokë e shoqe në atë kohë? Se ishe 10 vjeçe, në fshat ke lindur.
Po po, në fshat kam lindur.

Po aty çfarë ndodhi? Po fëmijët e tjerë nuk të pyetën pse po ikën atje?
Eh, çfarë dinim ne atëhërë, nuk kemi pasur kështu… Ka qënë një gjë personale. Nuk kemi ditur të arsyetonim gjatë.

Të ka ndikuar xhaxhai që ishte famulltar në atë kohë apo ishte e jotja, personale më shumë?
Jo, xhaxhai ishte famulltar në atë kohë në Laç të Vaut të Dejës.Por ai kishte komunikim me ne, se ai s’ka pasur tjetër njeri, veç vëllanë, kunatën, mua. Atëhërë kam ndjekur si konviktore aty, dy vjet, por me vajza të Kuvendit në Shkodër. Mbas dy vjetësh i kam thën: Bëj si të duash, se unë prej këtu, nuk dal!

Kujt ia the, babait?
Jo. Axhës! Babai më la pas kësaj, se nuk kishte nga t’ia mbante. Ai druante, se ishte punë fëmijësh, 10 vjeç. Duhej të thoshe po a jo për Kuvend, por mua ishte duke mu ‘pjekur” përherë e më shumë, nxehtësia për në Kuvend, kështu që s’më ka bërë përshtypje se kam hyrë e vogël. Kam vazhduar shkollën në Kuvend; 7 vjet kam ndenjur brenda. Pas 7 vjetësh ka ardhur regjimi dhe më 1946 na kanë nxjerrë jashtë.

Çfarë ju mësonin atje? Çfarë bëre në këto 7 vjet?
Kemi bërë shkollë si të gjithë, si të gjithë. Ka qënë shkollë shtetërore e jona. Ka pasur edhe vajza nga jashtë, jo vetëm ne. Unë kam pasur në klasë 30 e ca shoqë të tjera, të jashtme. Kam qënë dhe këtu vetë e katërta, shoqe me një motër që është këtu prapë present dhe dy të tjera. Edhe me Marien Tucin kam qënë në një klasë.

Marie Tuci, që është një nga martiret?
Po, kemi qënë në një klasë. Atë e kanë nxjerrë përpara mugeshat se pati një dhimbje gjuri. E nxorën për kurim, për të shkuar në familje dhe Marien e zuri kjo kohë atje. Ka shkuar para nesh në shtëpi kurse ne kemi dalë në 10 mars 1946.

Çfarë ndodhi me Marie Tucin, e mban mend?
Për atë nuk di gjë më pas, sepse kemi shkuar nëpër shtëpira dhe koha e regjimit dihet, ka qënë shumë e vështirë. Nuk kemi pasur lidhje kurrsesi, as me njera-tjetrën, përveç kësaj motrës që është këtu me mua, e cila është munduar të më ndjekë me një shoqe tjetër që kemi pasur në Shkodër, por fshehurazi. Kanë ardhur dhe unë kam shkuar tek ato kur kam qënë në Shkodër, por gjithçka fshehurazi.

Kur flisnit me njera – tjetrën në atë kohë, nuk kishit frikë? A ishin në dijeni që po vinte komunizmi, mund të kthehej në një shtet ateist? Diskutonit me njera – tjetrën apo erdhi krejt pa pritur ai vendim?
Ka ardhur e papritur, sepse nuk e dinim se çfarë po vinte.

A pati ndonjë moment kur mendove se mbase ky qe fati? Këta vendosën ateizmin e duhet të heq dorë nga Zoti?
Jo, atë kurrë! Kam qënë aq e lidhur sa me dhënë edhe jetën, s’më bënte përshtypje. Të jepja jetën për fe. Megjithëse, bën vaki s’kisha qënë e zonja, por si mundim, si kështu…
Përse e keni fjalën që “s’kisha qënë e zonja”? Mbase përballë torturës, vuajtjeve?
Nuk e di se çfarë mund të kishte ndodhur, por në emrin tim kam qënë aq e fortë sa thoja se asgjë kurrë nuk më ndalon ta heq Krishtin.

Po çfarë është kjo lidhje e veçantë që ke me Krishtin, me Zotin?
Ajo është gjendje shpirtërore. Çdo njeriu i flet gjendja e vet shpirtërore. Ty, tjetrit e atij tjetrit i flet gjendja shpirtërore.

Po në momente të vështira, kur erdhi ateizmi dhe ju futën në kooperativë, a bisedoje me të, a i kërkojë shpjegime për këtë që po ndodhte në Shqipëri? Për vuajtjet që po pësonin klerikët e tjerë? Për martirët, që po torturoheshin?
Krishtit i jemi lutur gjithmonë por është dashur të themi me aq vullnet sa kishim. Zoti e dinte vetë. Ne kemi pasur lutjen, jemi munduar me lutje sepse tjetër gjë nuk kemi pasur mundësi për të bërë.

Por në atë kohë edhe lutja nuk lejohej.
E bëja fshehurazi. Ndërgjegjen s’na e ndalonte askush, mendjen s’na e dinte askush. Unë kam pasur fatin të jem këtu, në një katund të mirë, që nuk më kanë gjurmuar nga ana e fesë. E dinin se isha nisur në atë rrugë, por ama nuk më kanë gjuajtur.

Para Papa Françeskut treguat një histori sesi një grua iu kërkoi të pagëzonit fëmijën e saj. Mund të na e tregosh sesi ishte ky moment?
Isha duke ardhur rrugës, se kam pasur një teze në një fshat tjetër, kur më thërret një zë nga mbrapa. Por unë e dija që Maria kishte shumë. Më në fund u ktheva dhe pashë një grua, kur më thotë : Aman, se unë për këtu e kisha fjalën”. Ishte me një fëmijë në krahë dhe më thotë dua të ma pagëzosh këtë fëmijë. I them nuk kam mundësi, se këtu nuk kam as me se. “Bëj si të duash, – më thotë, – kanali ja tek është këtu afër.” Por nuk kisha asnjë send, asnjë enë me vete, as ajo nuk kishte. Atëherë jam detyruar e kam hequr këpucën, kam marrë pak ujë aty dhe ia kam pagëzuar në rrugë të madhe. Ishte e shoqja e një komunisti. Se një herë e bëra mend të shkoja tek shtëpia e saj, por e dija se ishte e shoqja e një komunisti. Ndaj e pagëzova aty në rrugë të madhe.

A kishe frikë se mos të denonconin se i praktikoje ende ritet fetare?

Ma ka hequr Zoti frikën, nuk kam pasur.

Ishe e vetëdijshme se mund të të provokonin, se mund të të dërgonin njerëz?
E merrnim pak me mend, por prapë nuk pasur frikë.

Po si ndodhi që shpëtove, se mund të kishe pasur një fund në burg? Si e shpjegon? Ka qënë ambient këtu që të ka mbrojtur në një farë mënyre apo nuk kishin interes të arrinin deri tek ju?
Nuk kishin, se unë isha një fshatare e varfër dhe nuk kisha “përpjekje” me askënd. Më ka ndodhur njëhërë një tronditje, që nuke kam treguar, por ndonjëherë edhe e kam rrëfyer. Kam qënë duke shkuar në qytet. Kisha punët e mia. Më del para një njeri e më thotë:”Ku shkon?” Unë mendov a se ai ishte jabanxhi dhe donte të dite ku të shkonte, në cilën lagje ishte. I them unë:”Rrugës” duke pritur se çfarë do të më pyesë. Përsëri ai :”Ku shkon, ku shkon” nja dy – tri herë. Më bëri shumë përshtypje dhe unë vazhdoja të ecja. “Ndalu, – më thotë, – me ty flas.” U ndala. Më tha: “Çfarë ke aty në çantë?” I them: “Rrobat e mia, si çdo njeri”.
Më mori çantën, e kontrolloi dhe s’gjeti gjë, se s’kishte ç’të gjente. S’kisha veç dyqind lekë, asgjë tjetër. Në fakt, herë të tjera, shkoja në Shkodër dhe punoja atje ku merret kungimi…

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'