Një hap i rëndësishëm në rrugën tuaj drejt BE | Debat 24

Një hap i rëndësishëm në rrugën tuaj drejt BE

By Debat24
In Op-ED
October 8, 2014
0 Comments
1493 Views

Stefan Fyle1Nga Stefan Fyle

Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë qëkur paraqiti…aplikimin e saj për anëtarësi në BE në vitin 2009. Kam pasur privilegjin ta shoqëroj rrugëtimin tuaj të vështirë që prej vitit 2010. Sot jam i gëzuar të shoh se përpjekjet e Shqipërisë kanë dhënë fryte. Si një vend kandidat i BE-së, tashmë ju jeni edhe një hap të madh më pranë në udhën tuaj drejt Bashkimit Europian. Ajo çka ka ndryshuar ndër vite nuk është thjesht statusi i vendit tuaj nga kandidat potencial në kandidat aktual në BE. Ndryshimi, i nxitur nga perspektiva e anëtarësimit në BE, është tashmë i prekshëm. Shqiptarët përfitojnë nga udhëtimet pa viza në vendet “Schengen”.

Mekanizmat demokratikë punojnë më mirë: zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ishin një përmirësim i qartë krahasuar me praktikën e mëparshme. Në nëntor 2013 Parlamenti miratoi me konsensus një Rezolutë mbi Integrimin Europian. Më herët gjatë këtij viti u bëmë dëshmitarë të masave të vendosura kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave. Hapa të mëtejshëm janë ndërmarrë për reformën e Gjyqësorit përmes angazhimit me Komisionin e Venecias. Më 6 tetor u zhvillua një konferencë gjithëpërfshirëse mbi reformën e Gjyqësorit, e drejtuar nga Presidenti dhe ministri i Drejtësisë, për të identifikuar rrugën më të mirë për të ecur përpara.

Jam plotësisht i ndërgjegjshëm se jo të gjitha rezultatet mund të ndihen lehtësisht nga të gjithë qytetarët. Reformat ende shumë shpesh erren nga polarizimi dhe tensionet që ndizen nga interesat partiake. Kjo është për të ardhur keq dhe duhet të ndryshojë gradualisht. Dhënia e statusit të vendit kandidat siguron një mundësi të shkëlqyer për një ndryshim të tillë dhe mund t’i japë një shtysë më shumë axhendës së reformave në Shqipëri. Tashmë Shqipëria duhet të fokusohet te përparësitë kyçe, si shteti ligjor, përfshirë reformën e Gjyqësorit, si dhe vazhdimësia e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Reforma e administratës publike duhet të vazhdojë për të ndërtuar një shërbim civil profesional dhe të depolitizuar. Duhet siguruar transparenca dhe respekti për legjislacionin e duhur, veçanërisht lidhur me pushimet nga puna dhe rekrutimet. Në fokus vjen gjithashtu qeverisja e mirë ekonomike. Progresi në këtë front është thelbësor për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime, punësim dhe zhvillim, si dhe për përdorimin e plotë të potencialit të vendit tuaj.
Është thelbësore që si qeveria ashtu dhe opozita ta ndiejnë përgjegjësinë e procesit të reformave në lidhje me BE-në dhe të sigurohen që ai të vazhdojë. Qeveria duhet të japë shembullin e mirë duke mbështetur në mënyrë të përpiktë standardet më të larta të qeverisjes demokratike që i mundësojnë opozitës të ushtrojë kontroll kur duhet. Opozita duhet të ruajë një përqasje konstruktive në ushtrimin e mbikëqyrjes së saj demokratike mbi qeverinë duke e përdorur plotësisht Parlamentin. Përgjegjësia e të dyja palëve është themelore për qëndrueshmërinë e reformave përtej zgjedhjeve të ardhshme.
Nga ana e BE-së, ne do të vazhdojmë të sigurojmë mbështetje dhe udhëheqje të përforcuar nga një angazhim i fuqishëm politik, si dhe një proces zgjerimi rigoroz, por i drejtë. Mundësitë e financimit ekzistojnë përmes fondeve të BE-së para-anëtarësimit (IPA) dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Por, i takon Shqipërisë ta bëjë punën dhe të demonstrojë se arritjet e kohëve të fundit janë të pakthyeshme. Unë jam plotësisht i bindur se kështu do të ndodhë.

*Komisioner për Zgjerimin dhe Politikat Europiane të Fqinjësisë. Ky artikull publikohet me rastin e publikimit më 8 tetor 2014 nga Komisioni Europian i Raportit të Progresit për Shqipërinë.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'