Editorial i VOA/ Mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi | Debat 24

Editorial i VOA/ Mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi

By Debat24
In Op-ED
December 14, 2014
0 Comments
1116 Views

Xhon KerriMë 9 dhjetor, Kuvendi i ri i Kosovës votoi për një koalicion të ri qeverisës, duke i dhënë fund periudhës së gjatë të formimit të qeverisë që nga zgjedhjet e qershorit. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përmes një deklarate, e uroi Kosovën për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, kalimi i parë demokratik i autoritetit politik që nga pavarësia, i cili rezultoi nga zgjedhje të lira dhe të drejta në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo qeveri koalicioni, dhe procesi që çoi në formimin e saj në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, tregoi forcën dhe vitalitetin e institucioneve demokratike e politike të vendit.

Sekretari Kerry përgëzoi Presidenten Jahjaga për rolin e saj të palëkundur udhëheqës për të garantuar se kalimi i pushtetit do të bëhej  në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Zoti Kerry uroi gjithashtu Kryeministrin Isa Mustafa dhe kabinetin e tij të ri dhe premtoi mbështetje, ndërkohë që ata ndodhen përpara sfidave të shumta me të cilat përballen Kosova dhe rajoni. Këto sfida përfshijnë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe angazhimin e Kosovës në krijimin e një Gjykate të Posaçme për të trajtuar akuzat e hetuara nga një ekip hulumtues. Sekretari Kerry theksoi gjithashtu rëndësinë që qeveria e re të punojë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të mbështetur të gjitha komunitetet e Kosovës, dhe për ta trajtuar seriozisht çështjen e korrupsionit. “Ne presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Kosovën rreth një axhende të përbashkët që çon përpara zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës dhe integrimin e saj euro-atlantik.”

Tani që në Prishtinë ka një qeveri të re, Shtetet e Bashkuara mezi presin të shohin përpjekje të përtërira të nivelit të lartë në drejtim të zbatimit të plotë të marrëveshjes së prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ruajtja e momentit në Dialogun Beograd-Prishtinë është pjesë e pandarë e punës për ndërtimin e demokracisë gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë, për përmirësimin e mirëqenies së popullit të saj, dhe për përparimin si të Kosovës edhe të Serbisë në rrugët e tyre përkatëse drejt integrimit evropian, dhe për një rajon të qëndrueshëm, të qetë e të begatë.

(Koment i Zërit të Amerikës ku pasqyrohen pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara)

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'