Enigmat e vdekjes së Hysni Kapos | Debat 24

Enigmat e vdekjes së Hysni Kapos

By Debat24
In Dossier
December 13, 2014
0 Comments
1433 Views

Rrëfimi i Sabri Pilkatit, ish-shef i kundërzbulimit të Sigurimit të Shtetit dhe ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës

Hysni Kapo Enver HoxhaNga Drini Pilkati

Për shumë vite me radhë pas daljes nga burgu i Spaçit, babai im, Sabri Pilkati ka jetuar në shtëpinë time në katin e parë të një pallati, tek fusha Ali Demi. Kishin ndarë detyrat me nënën time për të ruajtur shtëpinë time gjatë kohës që isha në Itali dhe të vëllait, i cili që nga viti 1996 kishte emigruar në Amerikë. Ishte hapur fjala në Tiranë se ato mund të ziheshin me dhunë nga të ardhurit. Vitin e fundit pas vdekjes së papritur të gruas së tij, Tiftire Ketës, ai u kthye të jetojë në ish-apartamentin tonë kur ishim bashkë, që ndodhej ne rrugën Ferid xhajko, përpara Uzinës Dinamo të vjetër. Që pas vdekjes së gruas, gjendja e tij shpirtërore kishte rënë shumë, megjithatë karakteri i tij i hekurt e bënte që të dukej krejt normal. Ishte kalitur gjatë gjithë jetës së tij, si në luftë ashtu edhe pas saj. Kishte rënë tre herë nga fiku (siç thonin tironcit) dhe me forcën e karakterit ishte ngritur përsëri. Vetë kishte qenë partizan me aktivitet të madh, por shumica e familjes së tij kishte qenë me nacionalistët, si shumë kolonjarë të tjerë. Një nga dajat e tij, Hysen Caco, njeri shumë i njohur ne Kolonjë ishte komandant çete dhe ishte vrarë në luftë me brigadat partizane. Daja tjetër, major Teki Kolonja, kishte qenë oficer i Ahmet Zogut dhe dhëndër i Medi bej Frashërit, megjithatë edhe ai kishte vdekur në burgun e Burrelit. Kishte jetuar me një ekuilibër absolut, pasi ndryshe ishte e pamundur. Këto arsye e kishin detyruar Sabriun të kishte rezerva në marrjen e detyrave të larta në periudhën e diktaturës, prandaj kishte zgjedhur të jetonte në heshtje totale. Në periudhën e demokracisë disa gazetarë kishin tentuar ta intervistonin, por ai nuk kishte pranuar. Edhe disa tentativa të miat më kishin dalë huq, megjithëse në përgjithësi kisha dëgjuar shumë ndodhi vjedhurazi. Por dy vitet e fundit të jetës së tij kishte filluar të më shpjegonte diçka për luftën e Tiranës, ku ai kishte marrë pjesë aktive. Më dukej shumë e habitshme që ai njeri me kaq merita të rrinte në heshtje dhe asnjeri të mos informohej për historitë reale. Gjithmonë më kishte pëlqyer historia dhe orën e saj e ndiqja më shumë dëshirë. Sot më intereson të shkruaj kujtimet e familjes time, pasi mirë apo keq ata bënin pjesë në historinë e luftës së popullit. Lufta e tij ishte reale, por problemi qëndron në vlerësimin e kontributit të drejtuesve të saj.

Prandaj më interesonte të dija më shumë për diktatorin Enver Hoxha dhe më tepër më interesonte të dija për Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, pasi më kishte kuriozuar enigma e vdekjes së tyre. Pikërisht me ta, Sabriu kishte pasur miqësi të madhe dhe shumë sekrete, disa nga të cilat dua t’i përmend. Edhe pasi ai u dënua, këta të dy e kishin ndihmua atë në heshtje, por nuk kishin mundur të bënin më shumë, pasi ishte e pamundur. Përveç Hysniut, Sabriu ishte një njeri që dinte shumë sekrete, veçanërisht për marrëdhëniet direkte të diktatorit me Titon. Këto ishin arsyet që Enver Hoxha kishte vendosur që ai të vdiste në burg. Unë shkoja shpesh në burg për ta vizituar dhe ai më thoshte i bindur që do të dilte patjetër një ditë. Bindja e tij më kishte krijuar edhe mua të njëjtin mendim. Vitin e fundit të jetës së tij ai vendosi të më tregonte pak nga pak të gjitha sekretet e tija, duke më porositur që ti mbaja për vete. Duke parë interesin tim të madh për të shkruar, ai më përsëriti të prisja të paktën edhe mbi 10 vjet.
Tregimet e tij, ai i fillon me sëmundjen e Enverit. Ai thotë se ajo kishte avancuar shumë dhe këtë e dinte që në vitin 1968. Siç tregon ai: “Në vitin 1967 kishte ardhur në Tiranë një profesor psikiatër francez, për të vizituar Enverin. Nëqoftëse nuk gabohem ai quhej Paul Milié, i cili kur ishte kthyer në Paris (kjo ishte marrë vesh fshehurazi në Tiranë) ai kishte thënë se ‘Shqipëria është një çmendinë me 3 milion pacientë”. Rreth vitit 1968 Hysni Kapo niset në Paris për t’u vizituar dhe për këtë më thotë mua se kishte qejf që ta shoqëroja unë”. Hysni Kapo e njihte mirë Sabriun që nga Shëngjergji i Tiranës, kur Divizioni i Parë po përgatiste sulmin e fundit për çlirimin e Tiranës. E kishte vlerësuar shumë, si një i ri me një kulturë mbi mesataren për kohën dhe që dinte të fliste shumë mirë frëngjisht. Pas çlirimit, Hysniu për këto arsye e mbajti Sabriun në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si Zv/Sekretar Rinie.
Në vitin 1946 me iniciativën e tij, Hysni Kapo e cakton Sabriun drejtuesin e parë sekret të Sigurimit të Shtetit, dhe po në fund të këtij viti e merr me vete atë edhe në Jugosllavi. Më kujtohet që dikur Sabriu me kishte treguar se kishte qenë një nga iniciatorët e parë të krijimit të Skuadrës futbollit të Dinamos, megjithëse ishte tifoz i Tiranës. Edhe uniformat e para të saj ia kishin dhuruar atij përgjegjësit e Dinamos së Zagrebit. Në këtë periudhë Shqipëria nuk kishte asnjë përfaqësi diplomatike në botë, prandaj Tito kishte vendosur ta ndihmonte atë në këtë fushë. Në marrëveshje me Enver Hoxhën, Tito kishte vendosur t’i jepte Shqipërisë një ministër në qeverinë e tij dhe ky ishte Hysni Kapo. Për këtë arsye edhe Sabriu u caktua si sekretar i parë i ambasadave Jugosllave në Egjipt dhe Londër.

Bordi i kundërzbulimit
Sabri PilkatiSabriu krijoi edhe bordin e kundërzbulimit të Sigurimit të Shtetit, ky bord të koordinonte punën për zbulimin e zbarkimit të anglezëve ne Shqipëri.
Bordi i kundërzbulimit, përbëhej nga një grup të rinjsh me kulturë, që zotëronin disa gjuhë të huaja, të cilët brenda një viti arritën suksesin e kërkuar, anulimin e planit të zbarkimit të forcave angleze në Shqipëri. Nëpërmjet KGB ruse, agjentëve sovjetik kë Shërbimin sekret anglez dhe UDB-së jugosllave ky mision u zbulua, pasi një anëtar i këtij bordi nga frika e ndjekjeve të vazhdueshme u arratis nga shokët e tij në aeroportin e Barit në Itali. Menjëherë të tre pjesëtarët e tjerë u kthyen mbrapsht dhe mbasi xhiruan gati çerekun e botës kthehen në Tiranë. Për këtë mision te suksesshëm, Sabriun propozuan për “Hero Populli”, por mungesa e bashkëpunëtorit të katërt që u kap nga shërbimi sekret britanik, bëri që Sabriut t’i anulohej ky propozim dhe të largohej menjëherë nga detyra e drejtorit të kundërzbulimit shqiptar. Ishte periudha kur po dënohej Koçi Xoxe, i cili ishte në korrent të këtij misioni. Për këtë Mehmet Shehu, megjithë miqësinë e madhe me Sabriun, u detyrua ta çojë për 6 muaj si komandant të Gardës Republikës dhe më pas e çmobilizon. Kjo ishte pasoja e sekretit që ai i kishte mbajtur Mehmetit në lidhje me këtë mision. Më pas ishin vetë Mehmeti dhe Hysni Kapo që e rehabilituan Sabriun, duke e emëruar për tre herë si Kryetar Bashkie i Tiranës dhe në vijim për arsye shëndetësore ai qëndroi në bashki 20 vjet vetëm si zv/ Kryetar i parë.
Përsa më sipër deri në vitin 1974 miqësia e tyre ishte rritur aq shumë, sa që në çdo kongres partie deri atë vit, raportin ekonomik të Hysniut për Byronë Politike dhe të Mehmetit për Qeverinë, e përgatiste vetëm Sabriu. Mbaj mend që në Kongresin e 5, këtë raport e ata e lanë që ta mbante vetë Sabriu.
Në vitin 1968, Hysniu me Sabriun nisen në Paris për të bërë një konsulte mjekësore me disa profesorë te njohur. Ishin profesorë shumë të njohur, dy francezë dhe një kirurg japonez.
Mes profesorëve francezë ishte dhe Paul Milié, që kishte qenë në Tiranë për të vizituar diktatorin. Për Hysni Kapon nuk na ka thënë se çfarë sëmundje kishte, pasi Sabriu ishte një kasafortë e vërtetë, për vete ai tregoi edhe në shtëpi, pasi të gjithë ishim në merak. Në këtë konsultë, profesori japonez kishte vendosur të mos ndërhynte në mënyrë kirurgjikale mbi kokën e Sabriut për heqjen e ceflës së bombës, që ai mbante në kokë që nga lufta. Ajo ishte bërë organike me trurin e tij dhe operacioni i rrezikonte jetën, por ai e kishte siguruar se do të jetonte gjatë, por e keqja ishte se mund të kishte shpesh edhe kriza. Kjo ishte e vërtetë, pasi kur i vinin krizat Sabriut, i fryhej koka për gati dy ditë dhe më pas i kalonte. Pasi kishin mbaruar konsultën, Paul Milié i kishte ofruar një kafe, ku ai i kishte thënë një sekret për Enverin. I kishte informuar për vizitën që i kishte bërë diktatorit në Tiranë, duke u thënë atyre se ai ishte shumë i sëmurë nga skizofrenia. Diagnoza e tij ishte mania e persekutimit, e cila me ndihmën e diabetit të rënduar do të kishte pasoja më të rënda për jetën e bashkëpunëtorëve të tij. Ai u thotë atyre se “ju duhet që ta izoloni, pasi kjo diagnozë çon edhe në krime”. Hysniu me një nënqeshje i hap sytë i habitur, duke ia bërë më shenjë Sabriut që të largoheshin. Siç tregonte Sabriu, “Hysniu ishte shumë serioz, besnik dhe i heshtur, qeshte pak, por vetëm nënqeshte. Aty për aty ne u kuptuam vetëm me shenja. Kur dolëm nga zyra e profesor Miliés, Hysniu më tha se ky do të ishte sekreti më i madh i jetës tonë. Sëmundja e Enverit ishte rënduar aq shumë, sa që nuk dinte se çfarë bënte. M’u kujtuan fjalët e profesorit francez dhe kuptova se fuqia e Hysniut kishte rënë. Më shkonte në mendje se edhe sekreti jonë në Paris kishte dalë, pasi në popull fjalët e profesor Miliés qarkullonin lirisht. Vendin e Hysniut, pak nga pak po e zinte Ramiz Alia. Ramiz Alinë e kisha njohur në 1945, pasi ishim në një zyrë, të dy si Zv/ sekretarë të Rinisë së Ushtrisë. Ai ishte një njeri mediokër, pa autoritet dhe karakter dhe këtë ia kisha vënë edhe në dukje. U ndava me të, kur në zyrën tonë erdhi një bursë studimi për kuadër Partie në Bashkimin Sovietik. Që në fillim nuk më pëlqente jeta e partisë, pasi më pëlqente ekonomia. Këtë bursë e mori Ramizi dhe u nis menjëherë në Rusi. Për shumë kohë nuk e pashë edhe pse u kthye, nuk më lidhte puna, pasi mbulonte kulturën dhe artin në Byronë Politike. Me propozimin e Manush Myftiut në vitin 1970 mua më propozuan përsëri për Kryetar Bashkie në Tiranë, por unë nuk pranova me justifikimin e shëndetit. Në vendin tim emëruan Ndue Marashin, nga Mirdita, i cili ishte i sinqertë për vështirësitë në punë, duke më thënë se ‘O Sabri mi kanë varur hebet në qafë dhe skam ç’të bëj”, prandaj më ndihmo. Ishte malësor i mirë dhe i sinqertë. Nuk kishim asnjë problem në bashki, por fati i keq i tij ishte helmimi i 100 lopëve në Baldushk. Ishte me karakter te fortë dhe kritikat e rënda nga Mehmet Shehut e detyruan qe në vitin 1975 ai të vetëvritej ne shtëpinë e tij. Në të vërtetë Mehmeti nuk e kishte me Nduen, por me Manushin, që ishte bërë pjesë grupit të ri të udhëheqësve. Pas kësaj tragjedie Manushi donte të më ngarkonte mua me përgjegjësi, por unë u mbrojta. Kështu në Plenumin e Tiranës ku merrte pjesë vetë Mehmeti, Manush Myftiu mori vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit dhe kjo masë ishte dhe fillimi i persekutimit tim. Pas vitit 1975 mua më dëbuan nga Tirana, duke më konsideruar armik, pasi sipas Manush Myftiut, që ishte sekretar i parë i Tiranes, unë i mbaja rezerva partisë, pasi nuk pranova për të tretën herë, detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Nëpërmjet shokësh mora vesh keqardhjen e Hysniut dhe Mehmetit për këtë ndodhi, por vetëm kaq. Kuptova se ata e kishin humbur fuqinë dhe vendin e tyre po e merrte Ramiz Alia. Si një Uria Hipi i vërtetë i Dikensit ai kishte fituar përfundimisht zemrën e diktatorit. Ramizi e kishte mjeshtëri që të ‘hidhte gurin dhe të fshihte dorën’ dhe këtë e kisha vënë re që në vitin 1945, kur ishim në një zyre. Kam bindje se edhe grupet e ekzekutimeve të vitit 1975, janë ideuar nga ai dhe urdhëruar nga diktatori, i cili më pas detyroj Mehmetin dhe Hysniun të njollosen me aprovimin e kësaj masakre të vërtetë. Në vitin 1977 vjen Kadri Hazbiu për gjueti Buzë të Tepelenës dhe unë pasi kisha prerë drutë për shtëpi, kthehem në zyrë. Nga dritaret e zyrave të kooperativës dëgjoj një zë të lartë, kurioziteti më bëri të nxjerr kokën. Shohë që Kadri Hazbiu po fliste me kryetarin e degës brendshme të Tepelenës dhe atij të kooperativës së Buzit. E dinte dritaren e zyrës time dhe sa më pa që nxora kokën në penxhere, ai i tha atyre se ‘sa të mbaroj dënimin, Partia ka nevojë për Sabri Pilkatin’. Kjo ishte një përshëndetje që më dha më shumë takt dhe më pas ai u largua duke ma bërë me sy me kujdes dhe nënqeshur. Vdekja e Hysni Kapos në vitin 1979, më gjeti përsëri në Buzë të Tepelenës. Më erdhi natyrshëm një hidhërim i madh, pasi për mua ai kishte qenë më shumë se një shok. Të gjithë thonin se kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë, por mua asnjëherë kjo nuk më ka kishte mbushur mendjen. Mendja më shkonte tek fjala e tij në Paris, kur më tha se fjala e profesor Paul Milié do të ishte sekreti i jonë i fundit dhe kjo u bë më së fundi realitet. Sekreti jonë kishte kohë që përflitej nën zë në Tiranë. Kjo ma kishte mbushur mendjen top për enigmën e kësaj humbje të madhe”.
Pas gjithë këtyre tregimeve të Sabriut, mendimi i tij përfundimtare ishte se Hysniun me siguri e kanë helmuar. Për sëmundjen e tij profesorët në Francë i kishin thënë se ajo nuk kishte rrezik për jetën dhe se me të ai mund të jetonte gjatë. Kishin kaluar 23 vjet dhe megjithë 14 vjet torturash psikologjike të diktaturës, në sytë e babait tim pashë një dhimbje të vërtetë për shokët e tij të besës, megjithë të mirat dhe fajet e tyre.

Marrë nga “Tirana Observer”

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'