Romela Begaj: Ju lutem kini besim tek unë! | Debat 24

Romela Begaj: Ju lutem kini besim tek unë!

By Debat24
In Sport
December 23, 2014
0 Comments
774 Views

Romela BegajNë një intervistë ekskluzive për Pasdite në Top Channel, peshëngritësja shqiptare Romela Begaj ka ritheksuar besimin e saj të plotë për pafajësi dhe këmbëngul t’i shkojë deri në fund të gjitha procedurave ligjore për të kërkuar të vërtetën, që sipas saj është: nuk jam dopuar me stanozolol.

TCH: Romela, të kemi pasur si kampione dhe shpresojmë me gjithë zemër të të kemi si të tillë edhe në të ardhmen. Ky është një moment i vështirë për ty dhe të gjithë do të doni të dinin, cila është e vërteta jote, çfarë ke për të thënë…?
Peshëngritësja Romela Begaj: Dëshiroj së pari ta përcaktoj si intervistën e parë, mbi një histori tragjike për sportin shqiptar, gjithashtu dhe për mua. Ishte një bombë të them më mirë, sepse jam një sportiste që nuk e kam për herë të parë vajtjen në një kompeticion dhe marrjen e një medaljeje. Romela ka filluar që nga viti 2005 duke marrë medaljen e parë për 3 muaj, nga kalimi i cirkut në peshëngritje duke shënuar kështu edhe fillimin tim në këtë sport, një medalje të bronxtë. Gjatë gjithë kohës e kam ngritur flamurin e kombit tim me dashuri, me respekt dhe sinqeritet, dhe jo me mashtrime siç jam akuzuar këtë radhë. Megjithatë, kjo është medalja e dytë që sjell nga një kompeticion në rang botëror, teksa e para është marrë në Paris gjatë vitit 2011, një sukses i rëndësishëm si për mua personalisht, por edhe për Shqipërinë. Ndërsa medalja e dytë është kjo e Kazakistanit. Dua të theksoj se Romela nuk është një person që ka gënjyer për rezultatet e saj gjatë këtyre viteve, përkundrazi kam vite që me mund, me djersë, sakrificë dhe me gjak kam punuar për to, me bukë apo pa bukë unë kam qenë gjithmonë aty dhe kam ngritur flamurin. Kjo sepse nuk më ka interesuar shumë që të largohem e të përfaqësoj një tjetër shtet, të ngrej flamurin e të huajve, apo të kem një jetë më të mirë, por kam vazhduar këtu, në këtë vend ku jam lindur dhe jam rritur, e jam krenare që kam ngritur flamurin tim kuqezi, pavarësisht fjalëve që mund të jenë thënë e paragjykimeve ndaj Romelës.

TCH: Çfarë mund të ketë ndodhur në kampionatin botëror, ku sipas analizave të kryera nga Federata Botërore e Peshëngritjes rezulton që, jo vetëm ti por edhe disa sportistë të tjerë të peshëngritjes shqiptare, kanë përdorur substanca të ndaluara?
Romela Begaj: Kjo deri tani është një enigmë, edhe vet ne sportistët që kemi qenë në atë garë, nuk e kemi marrë akoma vesh. Në fakt bëra edhe testin B, që përcakton diçka më shumë pas testit A. Në laboratorin e Këlnit të Gjermanisë, unë së bashku me një nga mjekët më të famshëm të Qipros, të cilin e përshëndes dhe e falënderoj me të vërtetë, pasi më ka qëndruar në mbështetje të plotë është deklaruar se kjo substancë nuk është përdorur nga Romela. Edhe nëse stanazololi mund të ketë qenë në trupin tim, duke qenë se shumë vetë dyshojnë se e kam marrë përmes ushqimit, besoj se të gjithë e dimë që në disa ushqime si mishi i viçit, për shembull, përdoren substanca për fryrjen apo rritjen e masës sa më të shpejtë të tij, por kjo mund të jetë marrë edhe nga perimet apo diçka tjetër. Stanazololi është gjetur në ushqimin që unë kam ngrënë dhe nuk është në përqindjen ndëshkuese për përdorim dopingu. Federata Botërore e Peshëngritjes ka përcaktuar një përqindje në 1 milion e sipër, kur një sportist konsiderohet i dopuar, ndërsa unë nga 1 milion e kisha 10. Megjithatë, ata ende nuk e kanë dhënë përfundimisht që Romela është kapur me doping, por thanë që kam të drejtë të paraqitem në panelin dëgjimor të Federatës Botërore, e të dëgjojnë provat që ka unë për mospërdorimin e substancës së ndaluar. Për t’u treguar e sinqertë, pas gjithë këtyre viteve punë që kam mbi shpinë, nuk mund të shkoja e të përdorja doping në fund të karrierës sime. Kam 10 vjet që punoj dhe nuk besoj se këtë problem do ta lija për në fund, duke ditur që gjatë gjithë viteve të tjera janë hedhur poshtë të gjitha aludimet. Nuk dua që të më besoni, por dua të vlerësoni punën që kam bërë, e të mos më paragjykoni menjëherë për një çështje dopingu, të përcaktuar nga disa mjekë.

TCH: Romela, që në ditët e para ka pasur dyshime dhe akuza të ndërsjellta për Luan Shabanin, trajnerin e Kombëtares greke të Peshëngritjes. Cili është roli i tij në këtë çështje?
Romela Begaj: Në radhë të parë dua ta falënderoj atë, sepse jam një sportiste që nuk futem në garën e parë pas përgatitjeve me trajnerin e madh Luan Shabani. Kam 4 vjet që stërvitem në Greqi dhe, ashtu siç kam thënë në Top Channel apo kudo tjetër, vazhdoj të them se Luan Shabani, një patriot, ka pasur një dashamirësi të madhe për të ndihmuar në sportin shqiptar, edhe pse nuk ka pasur mundësi ta bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shtetin e tij. Nuk mund ta quajmë tradhëtar ose ndikues në këtë historinë tonë. Më vjen shumë keq që është hedhur baltë ndaj tij, sepse edhe ai ka një familje, madje ka edhe një dashamirësi për këtë sport. Në fakt, prova për këtë kanë qenë gjithë ato vite luftim në këtë sport dhe ato medalje që unë kam sjellë ndër vite. Ai më ka qëndruar pranë dhe më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Thjesht duke bërë detyrën e tij si një trajner i civilizuar, një person që e ka dashur dhe e do Shqipërinë, i cili kërkonte t’i bënte sportistët shqiptarë të arrinin suksese: dhe ne ia dolëm në këtë aspekt. Për këtë e falënderuam edhe kur erdhëm në aeroport, ndaj përse duhet të hidhet poshtë ai, në një kohë që nuk ka gisht në këtë çështje? Kam qenë në një kontroll të kryer në laboratorin e Këlnit, një nga më të fuqishmit sot për sot në gjithë Europën, ku përcaktuan se mua as nuk ma ka hedhur dikush substancën e ndaluar, as nuk e kam marrë vetë atë, por janë disa kimikate që bëjnë reaksione në trupin e sportistëve dhe, çdokush që mund të shkojë e të bëjë të tilla analiza, mund t’i gjendet kjo lloj substance. Duke u rikthyer sërish te Luani, ai ka qenë një trajner i vëmendshëm gjatë stërvitjeve, na ka dhënë një program të caktuar, ka akomoduar sportistët shqiptarë mes ekipit grek, duke na mirëpritur sikur të ishim pjesë e familjes së tyre, ndaj dhe dua të falënderoj edhe ekipin grek të Peshëngritjes. Ndaj dhe nuk duhet t’ua hedhim poshtë kontributin e dhënë. Sporti nuk duhet të përfshihet nga racizmi.

TCH: Gjatë ditëve në pritje të rezultatit të testit B ka pasur një raportim të madh për çështjen tuaj dhe të sportistëve të tjerë. Je ndierë e braktisur, e sulmuar nga dikush apo nga opinioni publik?
Romela Begaj: Të them të drejtën jam shumë e lënduar. Nuk ndihem e braktisur, por nuk e prisja në këtë mënyrë, në një kohë që unë jam munduar të respektoj të gjitha mediat, të shfaq të mirat dhe të keqiat e mia dhe t’i ndaj me to por dhe me popullin shqiptar. Kjo, sepse kam menduar se kur shfaq atë që ke brenda, s’ka rëndësi çfarë bën. Thjesht përpiqem të tregoj mirësi, respekt e sinqeritet. Më vjen keq, sepse disa nga reagimet kanë qenë shumë fyese për mua. Nuk kam pasur edhe mbështetjen që duhet të kisha si një fituese e një medaljeje. Do doja t’u thoja të gjithëve: Ju lutem mos paragjykoni pa mbaruar procesi, që është në vazhdim. Unë do të luftoj deri në fund, të nxjerr të drejtën time, djersën dhe respektin që kam pasur për flamurin dhe kombin shqiptar. Dua mirëkuptim dhe mosparagjykim pa ditur historinë time, apo ka përfunduar të gjitha afatet në dispozicionin tim për këtë çështje.

TCH: Jemi tek afatet, deri kur do ta ndjekësh këtë çështje? Çfarë do të ndodhë në vazhdim?
Romela Begaj: Unë pres një letër nga Federata Botërore, për panelin dëgjimor që do të kem. Aty do të vendoset paraprakisht nëse do të më dënojnë apo jo. Nëse do dënohem, unë jam e gatshme të shkoj deri në Gjykatën e Arbitrazhit të Lozanës (CAS), ku do të ofroj gjakun tim për analiza të ADN-së, për të dhënë provat se çfarë kam pirë gjatë gjithë vitit. Për të nuk mund të gënjejë askush, ndërkohë që bëhet në një laborator të specializuar. Ndoshta edhe shteti të më ndihmojë duke më dërguar në laboratorin më të mirë ose institucionet e drejtësisë, jam gati të bëj gjithçka dhe të vërtetoj që unë nuk e kam përdorur atë substancë. Nuk ia kam pasur nevojën dhe rezultatet e mia e kanë treguar këtë gjë deri në ditën e sotme, këtu ku kam ardhur.

TCH: Si kanë qenë këto ditë për ty, kush të ka qëndruar pranë? I ke ndjekur rregullisht raportimet e mediave? Me çfarë je marrë së fundi, përveç aspektit procedurial për të paraqitur provat e tua?
Romela Begaj: Këto ditë kam qenë me familjen time, që më kanë qëndruar gjithmonë pranë duke më përkrahur. Më kanë thënë se çfaëdo që të ndodhë, ti për ne je kampione. Kjo për mua ka një rëndësi të jashtëzakonshme, që familja ende më quan kampione. Jam e bindur se do t’u tregoj se i kam arritur këto rezultate me mund dhe me punë. Madje të reflektoj edhe respektin e kulturën që më ka dhënë familja.

TCH: Një kuriozitet… Thuhet se ndoshta kjo substancë mund të ketë ardhur nga ushqimi. Si ushqehen sportistët shqiptarë? A është dikush që kujdeset për ta? Ku i blini ushqimet ju, në tregje ku i marrin të gjithë njerëzit e tjerë, apo keni një dietë speciale? A kujdeset Federata në mënyrë të veçantë për ju, si funksionon ky aspekt?
Romela Begaj: Unë historikisht kam thënë se nuk kemi një mjek që të përcaktojë një dietë ushqimore. Po, është mjeku Mel Ostreni, i cili është përfaqësues i ËADA-s në Shqipëri, i cili na kontrollon për çështjet e antidopingut, por nuk është një mjek ushqimor, që të përcaktojë një dietë dhe të kujdeset për sportistët. Këto kanë munguar gjithnjë, nuk është se po ndodh sot. Ndoshta ky fat i keq që na ka prekur duhet pranuar, por të mos paragjykojmë pa mbaruar afati.

TCH: A e ke dorëzuar medaljen?
Romela Begaj: Jo, ende jo. Do ta mbroj atë deri në momentin e fundit, në instancën më të lartë të mundshme dhe deri kur unë të kem mundësi ta mbroj.

“Top Channel”

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'