Shikojeni Vlorën djema! | Debat 24

Shikojeni Vlorën djema!

By Debat24
In Op-ED
December 19, 2014
0 Comments
1085 Views

Arben RrozhaniArben Rrozhani

“Shikojeni Vlorën djema!” Kjo batutë nga filmi “Ballë për ballë” nuk është për Arben Imamin, asokohe aktor premtues i Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe sot, politikan i diskredituar. Është për djemtë dhe vajzat e qeverisjes së re të “Rilindjes”, prej shtatorit 2013, në pushtetin ekzekutiv të vendit. Është pasqyra e dëshpërimit të një vendi, ende pa të ardhme, madje ende pa shpresën për një të ardhme të afërt. Ata qindra njerëz të mbledhur dje në portin e Vlorës, në kërkim të ikjes nga sytë këmbët drejt vendeve të pasura të BE-së, janë përgjigjja më e mirë e ndonjë sondazhi fantazmë, me të anketuar fantazmë, që mund ta sajojë po ndonjë OJF fantazmë. Tregojnë se jemi, jo në mjerimin material të 1991-shit, apo në ekzistencën fizike të 1997-ës, por në vdekjen e shpresës që duhet të mbillte 2013-2014-a. “Shikojeni Vlorën djema!” Nuk është punë policësh, që mund të kapin dhe të ndëshkojnë mashtruesin e radhës, që ka gjetur shesh dhe do të bëjë përshesh, si në Kosovë, Maqedoni, apo Preshevë, ku vetëm shqiptarët u hipin autobusëve dhe furgonëve në kërkim të mbijetesës së sotme materiale dhe në kërkim të një të ardhmeje, që nuk ua ofrojnë ende qeveritë e tyre aty ku banojnë. Është punë mendimtarësh, që duhet të vënë trurin në punë dhe të shohin se çfarë nuk po funksionon në mekanizmin qeverisës të vendit; përse gjithë ai lumë premtimesh, shifrash dhe pritshmërish nuk po përkthehet në realizim, në duart e atyre që hodhën votën më 23 qershor 2013 dhe që sot e shohin se janë më duarthatë.

“Shikojeni Vlorën djema!” Populli po ikën nga sytë këmbët. Jo vetëm ai që ishte dje në portin e Vlorës. Është pa punë. Iu hoq çdo mundësi për të siguruar ndonjë lek. Iu hoq edhe ajo, paraja e zezë që ishte për ditë të bardhë. U shkul me rrënjë dhe me degë, me zjarr e me flakë, çdo bimë e ndaluar që mbante me bukë mijëra familje të varëra të vendit. Nuk u mboll dhe as nuk ka ndërmend të mbillet bima e të ardhmes së ndershme të këtyre familjeve, që përpara gjithçkaje, duan bukën për veten dhe kalamajtë. Nuk po bëhet asgjë për t’ua kompensuar bukën e hequr, nën vështrimin qesëndisës të BE-së së kamur, që nuk ka ndërmend të japë asgjë në vend të miliardave që nuk i vijnë më Shqipërisë. Po jep, si i thonë, 86 milionë euro për demokratizimin, shoqërinë civile…bla, bla, bla, p… me rigon, që jemi mësuar t’i shohim këto 23 vjet, të tretura si kripa në ujë. E tha mbrëmë edhe ambasadorja sefte e re e Prezencës së BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin, në pritjen me gazetarët. Përshëndeti dhe uroi shqiptarët, duke u thënë se duhet të bëjnë durim, se duhet të bëjmë ushtrime. “Nema provokacija”, – siç do të thoshte ajo në gjuhën amtare, sepse kështu bëri Kroacia e saj, tashmë anëtare e BE-së, por shumë dekada zhvillim përpara Shqipërisë së telendisur në lypëse azili në Europë.

“Shikojeni Vlorën djema!” Populli është besëprerë. I mbytur me gjoba, i burgosur për ca qindarka. Populli po merr fletëgjobat dhe fletarrestet për makinën, për energjinë, ujin, rrugën, shtesën pa leje. Saliu dhe banditët e tij janë jashtë. U shkëlqejnë fytyrat nga lyra dhe mirëqenia. Kanë 23 vjet që e kanë rrjepur këtë popull, që mbeti në Adriatik, në malet e Gramozit, dhe sot sërish rrugëve të botës për të siguruar bukën e gojës. Dhe janë dhe do të jenë, sepse nuk ka burrë nëne që t’u dalë përballë, t’ua numërojë krimet, t’ua marrë pasuritë që kanë vënë me gjakun dhe djersën e atyre që ikën nga sytë këmbët, që u vranë, u shtrydhën dhe u rropën të gjallë. Qeveria e “Rilindjes”, madje ua pagoi si borxhe, bizneseve berishiste, qindra miliona euro, se helbete nuk mund të fitonin barktharët e majtë tenderët milionerë të qeverisjeve të Berishës. Tani po u përgjërohet që të kthehen në një sallë Kuvendi, ishalla nuk u thotë t’i marrë në bashkëqeverisje, nën hyqmin e arbitërve të BE-së. “Shikojeni Vlorën djema!” Mos thoni “popull i keq”, sepse populli nuk është kurrë i tillë. Është ai populli i 1 milion shpullave, që më 21 qershor 2015, mund t’iu japë edhe 1 milion hunj, që të mos rrini dot ulur nga dhimbjet e kërbishtit. “Shikojeni Vlorën djema!” Sërish si te “Ballë për ballë”, ku armiku nuk ka fytyrën e sovjetikut, por të mjerimit. Sot, sepse nesër do të jetë vonë.

1 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'