A është i zënë mat mbreti i Fevziut? | Debat 24

A është i zënë mat mbreti i Fevziut?

By Debat24
In Opinion
January 17, 2015
0 Comments
775 Views

Ahmet Zogu libri FevziuNga Fatbardh Rustemi

Nuk doja të bëhesha pjesë e debatit alla-Facebook që ka plasur së fundi për librin “Presidenti që u bë mbret, Ahmet Zogu” i Blendi Fevziut, nëse nuk do të hasja këtë ftesë prej vetë autorit në gazetën “Panorama”, ku shprehet: “Do të kisha dashur që libri të hapte një debat publik lidhur me cilësinë dhe përmbajtjen e tij”, duke lënë të kuptuar se fishekzjarrët e promovimit mund të jenë dhe plumba qorr. Fakti që autori kërkon të dijë përtej fasadës, veçse e nderon.

Fevziu dëshmon se e do përballjen me të vërtetën, ndoshta ngaqë ndjehet i suksesshëm dhe kundërshtitë mund t’i kthehen në zbavitje. Autori i këtyre radhëve e sheh me interes reagimin e B. Fevziut ndaj së vërtetës së pretenduar në këtë shkrim, nisur dhe nga fakti që Fevziu e ushtron profesionin e gazetarit i yshtur nga pasioni për t’i shkuar të vërtetave deri në fund. Për të zbuluar të vërtetën e të tjerëve, e dimë si sillet, kështu që shtohet kurioziteti se si do reagojë ndaj së vërtetës së vet, që dikush, në këtë rast unë, po ia them në sy. Përderisa flitet për mbret dhe mbretëreshë, princesha, oborrtarë, dama dhe kavalierë, ia vlen të sillesh dhe, si një kalorës, sikundër po pretendoj unë. Kësisoj të gjithë jemi në provë, se sa aristokratë do shfaqemi ndaj njëri-tjetrit, ku mospërputhjet s’para kalohen me mirëkuptim.

Duhet thënë qysh në fillim se bibliografia e librit është e pasur, veçse kjo pasuri, me zotër të tjerë, përdoret prej autorit sikur të jetë e tija, jo në kuptimin e tjetërsimit të pronës, nuk bie në plagjiaturë, është korrekt në citime, por, prani e tij si autor, është gati e pandjeshme: në përmasat e një sufleri. Për ilustrim: në kapitullin “Dasma mbretërore”, e cila ka rreth 13 faqe, më shumë së 4/5 e zënë referencat, citimet, përdorimi i të dhënëve në ligjëratë të drejtë apo të zhdrejtë. Ndërhyrjet e tij si autor janë gati të papërfillshme, duke u shfaqur kështu si një montazhier i përkryer. Dikush mund të më thotë, ka skuadra ku shumica e lojtarëve janë të huaj dhe, kjo s’u prish punë tifozave ta quajnë skuadrën e tyre. Tek e fundit, pse duhen lexuar aq shumë libra për të njohur mbretin Zog, kur Fevziu rreket ta realizojë me njëz të vetëm?! Dhe një kroçierë që ndalet rastësisht në portin më të afërt, për shkak të motit të keq, mund të kthehet në ngjarje kurioze më shumë për banorët se sa për udhëtarët, duke ndryshuar kështu destinacioni i kënaqësisë.

Me këtë ftesë për debat autori duket sikur thotë: e pritët librin tim sipas festes, tani përcilleni sipas kokës. Mendja të shkon tek koka e mbretit, ku rri një kurorë, nuk dimë a ia ktheu Viktor Emanueli, ndërsa në kokën e autorit feks një aureolë: e merituar apo trillante, sikurse molla e Tantalit, bë ta kapësh dhe ajo largohet? Ftesa për të gjykuar mbi “cilësinë dhe përmbajtjen” e librit është më dinjitoze nga ftesa në Pallatin e Brigadave, ku libri u promovua në një mjedis thuajse aristokratik, ku mungonte veçse mbreti i syrgjynosur, ndaj dhe mua më ka kapur deliri i kalorësit. Urojmë, që të pranishmit të jenë sjellë si fisnikë, jo sëkëlldisshëm si Muç Nano, i cili bëri gjithë atë gurgule pa e kënduar librin, gjë që nuk i shkon një sqimtari librash. Që një libër promovohet në Pallatin e Brigadave, qoftë dhe me një ceremoni autoritetesh, vipash dhe femra si në ballo, është një nga lajmet më të gëzueshme, në këtë tranzicion të gjatë, ku vulgu duket, sikur na ka vënë përfund. (Na shkoi jeta duke na mësuar, ata që s’dinë.) Ia vlente ta promovoje një libër për mbretin Zog në pallatin e tij, që s’arriti ta gëzonte, ndoshta dhe si një homazh. Një histori pak a shumë e ngjashme dhe me Pallatin e Kongreseve, që, komunistët, e ngritën enkas për lavdinë e tyre, veçse në prag rrëzimi. Mirë do kishte bërë që librin për Enver Hoxhën, Fevziu, ta kishte promovuar atje. Natyrisht pa luksin e damave, veçse me kostumet e zbardhura të veteranëve të krrusëm, të cilët kanë dhe një mundësi më shumë nga damat, se mund të heqin kapelen. Tek e fundit e djeshmja, ashtu katran me bojë siç ishte, librin e kishte vënë në tre simbolet me të rëndësishme të epokës së saj informale: krahas pushkës dhe kazmës. Në rastin në fjalë, pak rëndësi ka emri i autorit, por nderimi ndaj librit në një pallat mbretëror, krijon veçse precedentin e lavdërueshëm, natyrisht pa lajka oborrtarësh e naze zonjushash. Sigurisht, dhe shitja spektakolare e librit ishte një ngjarje e gëzueshme. Njerëzit po shtyhen për të blerë librin dhe kjo, është e rrallë! Por, ftesa publike e Fevziut, kërkon të shkojmë përtej dukjes: të merremi me cilësinë dhe përmbajtjen e librit, pa dopingun e reklamës. Në gjithë këtë nderim që unë po predikoj për librin në përgjithësi, mos nuk po tregohem i tillë, duke shprehur rezerva ndaj librit të Fevziut?

Kuptohet ai që “kullot” vetëm në librin e Fevziut është më i kufizuar në vlerësim nga një tjetër, që i ka “ndritur sytë” në morinë e librave për mbretin Zog, ku ndër më të shkëlqyerit mbetet ai i Bernd J. Ficherit. Nëse ata që kanë shfletuar librin e Fevziut janë të shumtë në numër, radhë e madhe dhe, të dytët që kanë hulumtuar në morinë e librave për mbretin Zog mund të numërohen me gishta, ku dreqin fshihen, kjo nuk do të thotë se e drejta e gjykimit është në varësi të berihasë, apo ndjekësve të modës, aty ku shou vlen më shumë nga produkti, aty ku gjasmja merr autoritetin e supremes. Për argjendurat nuk pyetet kallajxhiu. Nëse më pyesni: a e ka Fevziu mbretin e tij, sikurse Sabri Godo ka Ali Pashë Tepelenën apo Skënderbeun e vet, unë do t’ju përgjigjesha pa dorashka: mbreti i Fevziut është i zënë mat prej mbretëreshës së shkrimtares Guen Robyns. Kësisoj ftesës për debat po i hedh dhe dorashkën. Kur lexon librin e Guen Robyns “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve” dhe të Fevziut për mbretin e Shqipërisë, sheh një ndërrim rolesh: nëse tek libri i Guen Robyns mbretëresha është në plan të parë dhe mbreti në plan të dytë, tek Fevziu ndodh ndryshe, ecet në të njëjtat histori: ku dhëndrri del në krye, ndërsa nusja shfaqet në sfond. “Në të gjithë rrëfimet e tija Zogu kërkon të rrëfejë një jetë që padyshim nuk e ka patur.”, shprehet autori për personazhin e tij. Të mos harrojmë se libri për Geraldinën është shkruar me autorizimin e saj, mbështetur në rrëfimet e saj. Të gjitha rrëfimet e mbretëreshës për mbretin janë të përfshira në librin e Fevziut. Kështu nga personazhe kryesore ajo kthehet në një dëshmitare okulare.

Ajo që më habit në këtë libër është përjashtimi që Fevziu i ka bërë vetes, si shkrimtar. Nuk shpresohet që historia të sjellë ndonjë gjë të re rreth jetës së bajraktarit që u bë mbret, apo të pashait që u bë president, veç atyre që dihen, të cilat, janë sa të mjaftueshme aq dhe të mangëta. Zogu I nuk ka nevojë të rrëfehet, por të portretizohet. Atëherë nga kush pritet të ndriçohet kjo figurë komplekse, kur historia nuk ka më ç’të thotë? Aty ku duhen hulumtime dhe hamendje, autori mjaftohet me referenca, të cilat nuk rreshtin, duke krijuar idenë se po mban një procesverbal, sikur të jetë kronikani i naltmadhënisë. Nuk ka zhbirime, investigim të figurës. Ai i lë gjërat, ashtu siç i gjen, duke mos tentuar asnjëherë të zhbirojë, hulumtojë, të vërtitet në lëmshin e pseve, duke nxjerr fillin e Arianës prej andej. Dhe aty ku duket se preket e vërteta, dyshimi bëhet më i madh. Kur i duhet të çajë në shtigjet e zëna prej borës, Fevziu bën patinazh. Autori shpesh ankohet për paqartësi në jetën e mbretit, duke reaguar turbullt: askush nuk di të thotë, nuk gjendet një dokument ta thotë… Nuk është çështja të ankohesh, por ti ke për detyrë të bëhesh pjesë e zgjidhjes. Me pafuqinë për t’u ngritur mbi personazhin, shpall veçse dorëzimin para tij. Kështu që prej një të munduri nuk mund të pritet ndonjë fitore për të qenë.

Ky mbret i pangjashëm, mjafton vetëshpallja në një kohë kur mbretërit ishin kthyer në relike, përherë ka për të zgjuar interes, ku gjithkush do pretendojë se i është afruar origjinalit, dhe askush s’ka për ta ditur se cili është i vërteti. Figura me kaq shumë dritë-hije vijnë prej errësirës dhe, për fat të keq, humbasin në të. Kështu që tentativa për të dhënë një mbret ndryshe, apo mbretin tënd, veçse duke përmendur çka thonë të tjerët andej e këndej nëpër historira, mbetet thjeshtë një orvatje. Sipas autorit, mbreti duke e rrëfyer jetën jo siç e ka bërë, apo prirja për të të fshehur të metat e vetes, lë të kuptosh se s’të lejon të futesh brenda tij. Apo një i tillë që: as ka dashur dhe as ka urryer kurrë, gjysëm hero dhe gjysëm bufon, sa oriental po aq dhe oksidental, sa bajraktar dhe pasha, e vështirëson portretizimin e tij, po të nisesh thjeshtë prej të dhënave e dokumenteve. Bashkohësit thonë se mbreti lexonte vetëm librin e Makiavelit “Princi”, të cilin e mbante poshtë jastëkut, siç mbante dhe koburen poshtë një shamie, ndërsa Fevziu përmend bibliotekën e tij me shumë libra, gjë që nuk ka duk, gjë që nuk reflektohet tek mbreti ynë. Midis tavanit të lyer me ar të pallatit dhe sixhadeve në dysheme, ku në mur vareshin armët, u mbyll në pallatin e tij, duke shtuar kështu hermetizmin ndaj vetes. Të gjitha këto tregojnë se për tek mbreti hyhet ndryshe. Ja pse rrëfimet e mbretëreshës marrin një rëndësi në zbulimin e natyrës së mbretit, por njëherësh ajo është dhe gracka ku Fevziu huan suksesin e një shkrimtare të huaj, së cilës me zor të madh ia përmend emrin, ku e zë me gojë thjeshtë, biografja e mbretëreshës. Shprehja se prapa çdo heroi fshihet një tradhëtar, duket sikur është thënë enkas për kusarin e Matit, që përlotej tek shihte një opera në skenë, që vallëzonte në ballo edhe pse vinte nga vallja e shpatave. I tipizuar mirëfilli në fjalët e Pashiçit tek e përcillte nga kufiri serb për të rrëzuar Nolin: ”Lamtumirë miku im i tanishëm dhe armiku im e ardhshëm!” Për të shkuar tek Zogu nuk i biet nga Skënderbeu, por duhet të ecësh gjatë në shtigjet e thepisura të Ali Pashë Tepelenës.

Në libër ndodh një dukuri interesante: edhe pse e adhuron mbretin Zog, askush tjetër nuk e ka rrëzuar atë, veç Fevziut: ku aventurizmi dhe abuzimi me pushtetin, tërheqin më shumë vëmendje se sa trimërirat, bëmat kombëtare apo hija prej shtetari. Historitë rozë në këtë libër të kujtojnë radhët e gjata të turistëve në Sarajet e Sulltanëve për të parë ambientet e haremit. Nderet që mbreti i bën një dashnoreje nuk kanë të krahasuara me nderimin që rreket t’i bëjë Skënderbeut. Në Vjenë djaloshi nga Mati frekuentonte zonjat në mungesë të burrave që shkonin në luftë, sikurse cubët e zonës së tij zbrisnin fushave për të grabitur lopët e fshatarëve. Kështu bëjnë dhe shoqëruesit e tij, kur u vendosen në Londrën e kërcënuar prej bombardimeve. Ca më keq adjutantët e tij me skandale grash në Egjipt. Dhe kapakun ia vë inçesti me të motrën. Në këto historira mbreti i Fevziut nuk është gjë tjetër, veçse një aventurier.

Po kështu dhe nami i hapur gjithandej si një mbret me pasuri përrallore, ku paraja derdhet lumë, valixhe me florinj, shufra ari, si në filmat me aksion, diamante dhe gurë të çmuar, kështjella, vila dhe pallate të kushtueshme, si ajo e Amerikës, ku arkërkuesit e rrënuan ngaqë dyshonin se në muret e saj fshiheshin florinj, sikundër kërkohen dhe thesaret e Aliut. Dhe në çastet e fundit të jetës, i tmerruar prej dhimbjeve, krijoi ankth tek familjarët se mos naltmadhënia vriste veten, por, rasti fatal nuk ndodhi: ndoshta ngaqë arma ishte prej floriri. Si banor i hershëm i kullave merr me qera për të banuar, veçse kështjella, si e si të ndjehej në mbretërinë e tij të humbur. Shihni vetëm këtë detaj nga goja e mbretëreshës: ”Mbreti vinte shpesh nga Parisi i dëshpëruar dhe më thoshte se ushtria franceze nuk ishte modernizuar aq sa duhej dhe nuk po bëhej asgjë për të shpëtuar këtë situatë. Ai mendonte se trupat jo aktive ishin kurajovrarë se oficerët, madje dhe ata me grada më të larta, nuk paraqiteshin mirë”. (Guen Robyns “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve” f.118.) Pra, për atë që s’bëri vetë, qorton të tjerët. Sulltan Hamidi II i dhuroi Esad Pashë Toptanit një shpat dhe, ky ia dhuron Zogut, i cili e çon tek një argjendar në Vjenë për të fshehur simbolet osmane. Një detaj ku mund të ndihmojë në përcaktimin e figurës së mbretit, që dukjen oksidentale e çonte deri në fshirjen e simboleve të orientalizmit, por shpata e sundimit, e mbështetur në intrigë, është po ajo. Po deshët i shtoni dhe vargje si këto:”Enver Hoxha mbreu shpatën/ edhe njëherë për situatën.” Kësisoj mbreti i Fevziut është i kapur mat dhe prej vetë autorit, duke i dhënë të drejtë kundërshtarëve për kusarin e tij.

Autoriteti më i lartë për naltmadhninë ishte nëna dhe nuni i tij, Lalë Krosi, i rrethuar prej motrave, që duke i quajtur princesha, të duket sikur i tall. Nuk ndihet ndikimi i mbretëreshës së huaj, kur dihet se ç’fuqi kanë ato mbi zotëritë e tyre, kujtoni zonjën Makbeth në mos dhe sulltaneshat e huaja tek padishau, pale shoqen Nexhmije. Geraldina erdhi e huaj dhe iku e panjohur. Shihni sa për të qeshur: motrat e Zogut, princeshat pra, që linin nam ngado që shkonin, lexoni librin e Zoi Xoxes, deklarohen para një gazetari të huaj: ”Ne besojmë në të qënit vajza moderne dhe bëjmë më të mirën për të modernizuar Shqipërinë”. Pikërisht këto, që e kalonin gjithë ditën duke pirë kafe: shtinin fall e luanin letra, duke shpenzuar pa hesap dhe, veçanërisht duke i nxirë jetën mbretëreshës, merrnin përsipër protagonizëm përparimi! Në fakt, këto fjalë duhej t’i thoshte mbretëresha Geraldinë, e cila dhe brenda familjes mbretërore mbeti e huaj.

Pavarësisht se ç’kërkojmë ne prej Fevziut, nuk kemi për qëllim t’u prishim qejfin atyre që e morën me kërshëri librin, as të bëjmë kompetentin, thjesht iu përgjigjëm një ftese për debat. Kur Harpagoni i kërkoi shërbëtorit të tij, t’i thoshte se ç’thoshin bota për të, dhe i ziu ia tha të gjitha, ai nuk ia kurseu kamzhikun. Gjithsesi shërbëtori nuk ngjason me një kalorës. Ia vlen ta mbyll me një shprehje, që më ka mbetur nga koha kur isha gjimnazist, shkruar në faqen e murit ku ishte dërrasa e zezë: “Unë jam kërkues ndaj teje se të respektoj.”

“Tirana Observer”

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'