AAA | Debat 24

AAA

By Debat24
In Op-ED
January 9, 2015
0 Comments
1365 Views

Elton MetajNga Elton Metaj

Në librat e ekonomisë mund të mësosh lehtësisht se letrat me vlerë më të sigurta janë ato që klasifikohen me “AAA”. Kjo përsëritje e shkronjës së parë të alfabetit reflekton qetësi për tregjet financiare dhe jo vetëm. Në të njëjtën mënyrë preferon t’i firmosë dokumentet edhe Aleksandër Arvizu, diplomati amerikan që mbylli misionin e tij në Tiranë pas disa shtyrjeve dhe urdhërave shtesë nga Uashingtoni. Kështu firmosi edhe kartolinën e djeshme të lamtumirës, duke i falenderuar shqiptarët për mikëpritjen dhe bujarinë. Këtë herë duket se gjithçka është e vërtetë dhe “Aleksandri i Rrugës së Elbasanit” do t’i japë fund përfaqësimit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Aleksandër Arvizu e mbylli misionin e tij katërvjeçar në Shqipëri, ashtu siç e nisi, duke e ndarë politikën mbi veprimet dhe deklaratat e tij. Mëria rozë e janarit 2011, kur e cilësoi Sali Berishën si një burrë shteti vetëm pak ditë pas vrasjeve përballë selisë së qeverisë, u shndërrua gradualisht në mëri blu, kur sërish lideri demokrat do ta sulmonte ashpër dhe do ta akuzonte për ndihmë ndaj Edi Ramës. Ndoshta Arvizu ka folur më shumë apo më direkt sa jemi mësuar me diplomatët, ndoshta deklaratat e tij janë shkëputur nga konteksti i ngjarjeve, ndoshta zhvillimet në Shqipëri ishin shumë të forta. Sigurisht që ka shumë “ndoshta” për të analizuar 48 muaj të diplomatit më të rëndësishëm në Tiranë. Por ka edhe gjëra që janë të sigurta dhe mandati i zgjatur i Arvizusë i vulosi akoma më shumë.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe mbeten një aleat strategjik, shumë i rëndësishëm dhe i ndjeshëm, për shqiptarët. Amerikanët e Bushit, Klintonit apo Obamës nuk kanë ardhur në Tiranë me thasë të mbushur me dollarë për të investuar në projekte të mëdha, por padyshim që kanë ngjizur, nxitur dhe ndërtuar një projekt akoma më të madh. Faktori shqiptar, me të metat dhe problemet e tij, është sot më i rëndësishmi në Ballkan. Ai “zotëron” dy shtete (Shqipëri-Kosovë), është element shtetformues në dy republika të tjera ballkanike (Maqedoni-Mali i Zi) dhe ka pakica në dy shtetet historikisht më të zhvilluar të Ballkanit (Greqi-Serbi). Angazhimi i Uashingtonit për çlirimin e Kosovës, stabilitetin e Maqedonisë dhe zhvillimin e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet thelbësor në këtë projekt. Fundi i tij nuk dihet kush do të jetë. Shumë ëndërrojnë bashkimin Shqipëri-Kosovë, të tjerë integrimin e përbashkët në Bashkimin Europian dhe jo pak janë ata që bëjnë llogari të momentit kur shqiptarët do të jenë shumicë në Maqedoni.

Të tjera hesape bëhen ndoshta në zyrat ovale apo këndore në SHBA dhe të tjerë njerëz do të kalojnë Atlantikun për të mbërritur në Rrugën e Elbasanit, duke i kërkuar Shqipërisë të bëjë detyrat e saj. AAA e bëri këtë detyrë më së miri dhe ishte një garanci për kërkesat e Amerikës së madhe ndaj Shqipërisë së vogël. Ashtu si në rastin e ashtuquajtur të “armëve kimike”, detyra e tij ishte të bindte qeverinë e shqiptarët, si dhe të shpjegonte përfitimet përkatëse. Shqipëria tha “jo” dhe sigurisht që humbi një moment historik, por u përpoq ta kompensonte paaftësinë e saj për të bërë hapa prej gjigandi me dy komponentë të tjerë: Angazhimin në luftën ndaj terrorit dhe rolin stabilizues në rajon. Eshtë ende shpejt për të ditur nëse e kemi kompensuar aq sa duhet “jo”-në e armëve kimike, por jemi tashmë të bindur se Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve që pret oferta të rëndësishme. Aleksandër Arvizu u përpoq të na fuste në listën e vendeve me “AAA”.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'