Incidente të dhunshme gjatë protestës në Prishtinë | Debat 24

Incidente të dhunshme gjatë protestës në Prishtinë

By Debat24
In Big Slider
January 24, 2015
0 Comments
1022 Views

Prishtine protestaPolicia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup protestuesish që hodhën gurë mbi ndërtesën e qeverisë së Kosovës. Incidentet shpërthyen në përfundim të një proteste me moton “Jashtë Jablanoviç – Trepça është e jona”, në të cilën morën pjesë mijëra veta. Protesta e sotme pasoi protestat e ditëve të fundit në disa qytete të Kosovës kundër ministrit për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jablanoviç, i cili i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar.

Ministri Jablanoviç kishte kërkuar ndjesë për deklaratat e tj por protestuesit thanë se kërkim falja nuk mjafton. Ata kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa të shkarkojë ministrin e tij, ndërkohë që kryeministri i cilësoi të pamatura komentet e ministrit Jablanoviç. Protestuesit të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, shoqata të familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës e të mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare dhe një grup organizatash joqeveritare, bënë thirrje edhe kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë. Të hënën parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash, ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë riorganizimit të Trepçës. Por, qeveria hoqi nga rendi i ditës çështjen e pronësisë mbi Trepçën, ndonëse kishte paralajmëruar që nëpërmjet ligjit ta shndërrojë atë ndërmarrje publike.

Qeveria e Kosovës tha se e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi i cili do të linte pa punë mijëra veta, meqë Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që  ajo të hyjë në procesin e likuidimit. Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit. Ajo tha se për Trepçën do të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet prej 1 miliardë e 400 milionë eurosh  që ka ky kompleks. Opozita akuzoi qeverinë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.

Beogradi ngulë këmbë se ai është pronari kryesor i Trepçës dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt. Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi. Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'