Marrëveshja e Ohrit, një fitore për Maqedoninë | Debat 24

Marrëveshja e Ohrit, një fitore për Maqedoninë

By Debat24
In Opinion
January 21, 2015
0 Comments
836 Views

Ilir Meta MaqedoniNga Ilir Meta

Kemi ardhur sot në Shkup për të dhënë mesazhin e qartë të miqësisë sonë të sinqertë, dhe t’ju rikonfirmojmë se Shqipëria, si fqinji juaj dhe si një vend anëtar i NATO-s, e mbështet plotësisht e në mënyrë të pakursyer Maqedoninë në rrugëtimin e saj të integrimit euro-atlantik, të bindur se e ardhmja jonë e përbashkët gjendet në Bashkimin Evropian dhe me një Maqedoni të anëtarësuar plotësisht në NATO. Në emër të kësaj të ardhmeje kuptimplotë, dhe duke mos harruar të shkuarën e hidhur të rajonit tonë, të cilën të gjithë urojmë ta kemi lënë përgjithmonë pas, Shqipëria dhe Maqedonia duhet ta ngrenë miqësinë dhe ndërlidhjen mes tyre në një nivel tjetër, më të lartë dhe më cilësor.
Mbi themelin e fqinjësisë së mirë, ne duhet të punojmë për rritjen e besimit reciprok, që është edhe çelësi i një bashkëpunimi të sinqertë e të qëndrueshëm. Të bindur se i kemi nxënë mësimet e hidhura të historisë së Rajonit tonë dhe se i përkasim një gjenerate, që dimë të shohim në mënyrë evropiane, të ardhmen tonë realisht evropiane.
Në këtë logjikë, marrëdhëniet mes dy Kuvendeve tona, si një sintezë ku materializohet përfaqësimi i popujve tanë, kanë një peshë të veçantë.
Të prirë nga vullneti i mirë ne jemi sot këtu për t’i dhënë jetë një hopi të ri cilësor të këtyre raporteve. Më të drejtpërdrejtë. Më realist dhe më ambicioz. Sepse ne jemi të bindur, që kjo rrugë, rruga e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit pozitiv, është një shprehje e vullnetit të popujve që ne përfaqësojmë. Dhe popujt kanë dashur dhe duan, paqe, bashkëpunim dhe mirëqenie.
Kemi ndarë bindjen e përbashkët me kolegun Veljanoski se parlamentet tona duhet ta konkretizojnë më tej bashkëpunimin e tyre përmes Grupeve të Miqësisë, Komisioneve Parlamentare, por edhe Administratave reciproke. Duhet të jemi pra më aktiv dhe më krijuese në marrëdhëniet tona.
Kemi rënë dakord se duhet të inkurajojmë rritjen e frekuencës së kontakteve dhe mbledhjeve të përbashkëta. Dhe jo për formë apo për dukje, por sepse kemi në të vërtetë nevojë dhe interes, të bashkërendojmë shumë punë të përbashkëta dhe të integrohemi sa më shumë me njeri tjetrin. Lidhjet mes popujve tanë janë shumë të hershme, ndërsa marrëdhëniet mes shteteve tanë kanë ardhur duke u forcuar gjithnjë e më shumë gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Gjykoj se veçanërisht gjatë 14 viteve të fundit është bërë një progres i ndjeshëm. Sot, jemi më mirë se ç’kemi qenë dje. Por, gjykuar me realizëm dhe dashamirësi, jemi ende larg pritshmërive që kishim projektuar. Sepse ritmi që kërkon evropianizimi i vendeve dhe shoqërive tona, standardet e bashkëjetesës dhe të harmonisë, janë ende objektiva që duhen mbërritur dhe jo realitete të përfunduara, e aq më tepër të përsosura.
E them këtë nga pozitat e një politikani optimist për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane dhe i ndërgjegjshëm se ne nuk jemi thjesht fqinj dhe nuk duam thjesht të jemi fqinj, por mbi të gjitha vëllezër që jetojmë në një hapësirë të përbashkët ekonomike e sociale.

Nga ana tjetër, më lejoni të ritheksoj se Shqipëria dhe populli shqiptar, janë të interesuara dhe mbështesin në mënyrë të natyrshme stabilitetin, sovranitetin, integritetin, por edhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të Republikës së Maqedonisë.
Në optikën tonë gjeopolitike, ne ndajmë të njëjtin vizion dhe të njëjtën bindje me Aleatët tanë, se Maqedonia, stabiliteti dhe sovraniteti i saj, janë një domosdoshmëri jetike në mbarëvajtjen e paqes dhe në shërbim të progresit për të gjithë rajonin tonë. Dhe për këtë, kemi qenë dhe jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë të pakursyer.
Por në të njëjtën kohë, ne besojmë se duhet të investohemi edhe më shumë në ngritjen e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të frytshme e konkrete.
Popujt tanë janë të famshëm në Ballkan, si mjeshtrit e projektimit dhe ngritjes së Urave të Gurta, që qëndrojnë në këmbë prej shekujsh. Klasat tona politike, duhet të ndjekin më me pasion dhe më me modesti, këto dhurata të historisë sonë të përbashkët.
Sepse filozofia e urave që bashkojnë brigjet dhe popujt, ku sigurohet komunikimi, shkëmbimi dhe bashkëpunimi, është filozofia triumfuese e Evropës së Bashkuar, e cila shekullin e kaluar u mbijetoi dy luftërave botërore. Luftëra të cilat, parë me optikën e sotme të Bashkimit Evropian, duken absurde, e pra, krejtësisht të pakuptimta.
Bashkimi Evropian, është sot më shumë se kurrë modeli ynë, edhe këtu në Ballkan. Modeli i bashkëpunimit, i eliminimit të kufijve, i standardeve të demokracisë, i zgjidhjes inteligjente dhe në bazë të interesit reciproke të të gjitha mosmarrëveshjeve. Ky model dëshmon se ku ka vullnet, ka gjithmonë një zgjidhje e cila kapërcen çdo hendek dhe konflikt.

Më lejoni që në emër të miqësisë sonë të sinqertë, të shpreh bindjen e thellë për domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe për jetësimin e saj integral. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj i plotë na forcon dhe na afron të gjithëve. Më pranë njëri-tjetrit, por edhe më pranë Bashkimit Evropian.
Marrëveshja e Ohrit dhe jetësimi i saj i plotë, është një gur prove i vullnetit tonë evropian. Një gur prove për paqen dhe harmoninë ndëretnike, mbi egoizmat nacionale, të cilat janë dëshmuar historikisht, përtej retorikës dhe shkëlqimit folklorik, aspak të leverdishme dhe aspak inteligjente për realizimin e interesave të popujve tanë.
Të gjithë qytetarët e vendit tuaj, pavarësisht përkatësisë etnike, do të përfitonin shumë më tepër nga një avancim më i përshpejtuar i zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje që ju keni nënshkruar 14 vjet më parë.
Do të merrnin kështu jetë rezultate konkrete, të prekshme e të ndjeshme për të gjithë. Në radhë të parë për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe për ngushtimin e hapësirave të spekulimeve ekstremiste, ngado që ato mund të vijnë.
Më konkretisht, duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës, ne inkurajojmë një ndarje edhe më proporcionale buxhetore dhe një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve si faktor shtetformues në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë.
Pabarazia e investimeve dhe zhvillimit që vihet re në disa rajone perëndimore të vendit, ka nevojë që të zbutet deri në krijimin e një realiteti të ri, mjaft më të harmonishëm.
Dua të siguroj se Shqipëria do të qëndrojë gjithnjë pranë në mbështetje të progresit të Republikës së Maqedonisë. Dhe jam i bindur se edhe qeveritë tona do të punojnë akoma më fort për të fuqizuar projektet ndër-kufitare që i shërbejnë jo vetëm cilësisë së jetesës së qytetarëve në të dy anët e kufirit, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas.
Sepse të veçuar jemi shumë të vegjël, ndërsa të bashkuar krijojmë një treg domethënës dhe tërheqës për investimet e huaja.
Pak ditë më parë prita Kryetarin e Komunës së Pustecit, z. Edmond Temelko me të cilin biseduam për një mbështetje më të madhe që duhet t’i japim integrimit të mëtejshëm të pakicës maqedonase në Shqipëri.
Dua të theksoj se ne jemi krenarë për këtë komunitet të mrekullueshëm e punëtor, që jo vetëm ruan dhe konsolidon gjuhën amtare dhe traditat e veta më të mira, por është edhe një shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës dhe integrimit në vendin tonë.
Të dashur miq, ne nuk besojmë në ndryshimin e kufijve në Ballkan, por ne besojmë plotësisht në zhbërjen e tyre të plotë, ashtu siç ka bërë Bashkimi Evropian, destinacioni ku dëshirojmë të jemi së bashku, dhe modeli e standardi që ne duam të aplikojmë këtu në rajonin tonë.

Të dashur miq, sot nevojitet zhvillim i politikave inteligjente e pragmatike duke shtuar korridoret që na lidhin e duke shkurtuar distancat që na mbajnë larg, me qëllim krijimin e një motori domethënës, rritjeje ekonomike e mirëqenieje.
Në planetin tonë, sot, e gjithmonë e më shumë nesër, konkurrenca e tregjeve, po zhvillohet, jo midis shteteve, por midis rajoneve.
Njëkohësisht do të doja të shprehja vlerësimin për angazhimin aktiv e konstruktiv të Maqedonisë në të gjitha nismat rajonale ku ne bashkëpunojmë, duke shprehur një mirënjohje të veçantë për mbështetjen e rëndësishme që ju i jepni Kosovës, shteti më i ri i rajonit tonë, fqinji ynë i përbashkët, të cilin ne e mbështesim së bashku me Bashkimin Evropian në avancimin e dialogut dobiprurës me Serbinë.
Shqipëria është e ndërgjegjshme për peshën që ajo ka në rajon. Strategjia e qëndrueshme dhe e shëndetshme e politikës sonë rajonale lidhet ngushtë me qasjen tonë në shërbim të rritjes së mirëqenies të të gjithë qytetarëve tanë.
Ne qëndrojmë larg alternativave arkaike nacionaliste, dhe qëndrojmë në mbështetje të plotë të zgjidhjeve konkrete, që rrisin punësimin dhe mirëqenien, që luftojnë varfërinë për të gjithë dhe pa diferencime etnike.
Ndaj jam besimplotë se gjendemi në një moment të rëndësishëm historik, ku shumë hendeqe janë kapërcyer, ku duhet folur për projekte të përbashkëta dhe me interes reciprok, për energjinë, industrinë, mjedisin tonë të mrekullueshëm, agro-përpunimin, arsimin, transportin, turizmin dhe shëndetësinë.
Ndjej krenari kur shoh investime shqiptare në Maqedoni, siç është rasti në Mavrovë apo në Shkup, ashtu siç kënaqemi shumë kur miqtë tanë nga Maqedonia kalojnë pushimet e tyre verore në bregdetin e mrekullueshëm të Shqipërisë.

Të nderuar deputetë! Ngjarjet më të fundit në Francë e Belgjikë, na zgjojnë të tronditur për alarmin që vjen sot më shumë se kurrë nga terrorizmi ndërkombëtar. Shqipëria është dhe do të jetë e vendosur në qëndrimet e saja, thelbësisht tolerante. Modeli ynë i harmonisë shumëshekullore ndërfetare, na jep shumë siguri dhe shumë eksperiencë.
Vëmendja dhe vigjilenca ndaj spekulimeve ekstremiste me sfond fetar, nuk duhet të topitet asnjëherë. Si evropianë mijëravjeçarë, ne, ndjehemi natyrshëm pranë parizienëve dhe të gjithë popujve të lënduar evropianë gjatë këtyre ditëve.
Sfidat e sigurisë që ndajmë bashkarisht me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, na detyrojnë të jemi energjikë dhe syçelët. Të forcojmë pra ndërkohë radhët tona në këtë sfidë të re, duke dyfishuar shpejtësinë e afrimit dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin, në radhë të parë këtu në rajon.

Integrimi ynë evropian duhet të avancojë paralel me projektet e përbashkëta rajonale që forcojnë korridoret kyçe të ndërlidhjes mes të gjitha vendeve tona. Në këtë kuadër duhet të forcojmë përpjekjet e përbashkëta për të realizuar sa më shpejt linjën hekurudhore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Një emergjencë strategjike do ta konsideroja për të dy vendet tona realizimin e shpejtë të kësaj linje hekurudhore, për t’i dhënë një peshë të re Korridorit të 8-të, dhe dy vendeve tona në veçanti.
Njëkohësisht janë hedhur hapa konkretë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit në pjesën e Shqipërisë, si një alternativë tjetër që afron dy kryeqytetet tona. Pritshmëria jonë është që me hapjen së shpejti të këtij korridori rrugor që kalon përmes dy Dibrave, edhe pala maqedonase të punojë për vazhdimësinë e këtij aksi të rëndësishëm deri në Shkup.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë kyçe dhe strategjike për të gjithë rajonin tonë. Të gjitha forcat politike si në Tiranë, ashtu edhe në Shkup, kanë përgjegjësinë dhe detyrën t’i konkretizojnë e t’i avancojnë ato duke e dyfishuar angazhimin tonë të përbashkët.  Shqipëria dhe Maqedonia, shqiptarët dhe maqedonasit, ashtu si edhe grekët, serbët, malazezët, boshnjakët e kroatët, jetojnë prej shekujsh në një hapësirë të përbashkët gjeografike, në Ballkan.

Në thelb, ne duhet të ndajmë të njëjtat interesa strategjike dhe duhet të përdorim të gjitha instrumentat e bashkëpunimit shumëplanësh që nevojitet, për t’i shërbyer qëllimit tonë të përbashkët – të ardhmes sonë të sigurt dhe të begatë, në Bashkimit Evropian. Duke ju shprehur mirënjohjen edhe një herë për këtë rast që më dhatë sot të shprehem para jush, dua t’ju uroj në emër të Kuvendit të Shqipërisë një aktivitet politik sa më konstruktiv e sa më të frytshëm këtu në Parlamentin tuaj si dhe t’ju shpreh ndjenjat më të ngrohta të miqësisë së sinqertë për popullin dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

(Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta në Asamblenë e Republikës së Maqedonisë)

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'