Nishani kthen ligjin: Qeveria, jo borxhe pa lejen e Kuvendit | Debat 24

Nishani kthen ligjin: Qeveria, jo borxhe pa lejen e Kuvendit

By Debat24
In Big Slider
January 17, 2015
0 Comments
510 Views

Bujar Nishani VOAPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, vendosi të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas”. Këto ndryshime u miratuan më 24 dhjetor 2014 dhe qeveria synonte, ndër të tjera, “përmirësimin e kuadrit ligjor të huamarrjes shtetërore, duke e harmonizuar këtë veprimtari me praktikat më të mira të tregjeve ndërkombëtare të parasë”. Referuar relacionit të projekt-ligjit, përmes këtyre ndryshimeve lehtësohet veprimtaria e ekzekutivit pa cënuar të drejtat e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Presidentit, përmes këtij ligji, duke realizuar edhe një interpretim të neneve 156 dhe 159 të Kushtetutës është autorizuar në mënyrë absolute Ministri i Financave në marrjen e borxhit të huaj dhe të brendshëm. “Duke bërë një interpretim të neneve 121 dhe 156 të Kushtetutës është bërë ndarja e marrëveshjeve të huave shtetërore në marrëveshje ndërkombëtare me subjekte private dhe shtete/organizata ndërkombëtare”, thuhet në letrën shoqëruese që Nishani u dërgon deputetëve të Kuvendit.

Kreu i Shtetit, në letrën e tij, rendit edhe argumentet për kthimin e ligjit. “Në kuptim të nenit 156 të Kushtetutës, Shteti mund të marrë e të garantojë  hua dhe kredi financiare nga subjekte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë këtu edhe Shtetet apo organizatat ndërkombëtare dhe në çdo rast Shteti mbetet i detyruar përsa ka rënë dakord në marrëveshjen e realizuar. Por, Kushtetuta ka bërë të qartë se borxhi qoftë i brendshëm apo i huaj do të  merret kur të autorizohet me ligj nga Kuvendi”, thuhet në letër. Gjithashtu, sipas Nishanit, neni 156 i Kushtetutës kur flet për autorizimin me ligj të marrjes hua, nuk i referohet vetëm kufirit sasior të vendosur në buxhetin e miratuar nga Kuvendi, por ka parasysh edhe kushtet dhe mënyrat e marrjes së borxhit qoftë të brendshëm apo të jashtëm. “Rezulton, që Kuvendi në asnjë rast nuk ka vendosur kushte të përgjithshme të cilave do t’i referohet Ministri i Financave në marrjen e borxhit. As ndryshimet ligjore nuk e kanë përmbushur  një gjë të tillë”, shprehet Nishani. Presidenti argumenton se “është e gabuar ndarja e borxhit të brendshëm nga ai i jashtëm, apo borxhi nga Shtete/organizata ndërkombëtare  apo subjekte private të huaja”. ”Kuvendi e ushtron pushtetin e tij që në momentin që autorizon marrjen e borxhit, duke përcaktuar qartë edhe kushtet dhe mënyrat e marrjes të atij borxhi. Diskutimi nëse duhet ratifikuar apo jo me vonë në Parlament referuar nenit 121 të Kushtetutës, ky është një diskutim tjetër, i cili vjen më pas në kohë. Autorizimi i kërkuar nga ligji nuk ka lidhje me ratifikimin e një marrëveshje me një subjekt të huaj huadhënës qoftë ky publik  apo privat”, argumenton Presidenti. Sipas tij, detyrimi kushtetues që borxhi të merret me një kosto sa më të ulët, nuk do të thotë që pushtetin që ka parlamenti “për të autorizuar marrjen e borxhit dhe për të vendosur në lidhje kushtet dhe mënyrat e marrjes së borxhit t’ia delegojë në mënyrë absolute qeverisë dhe të mjaftohet me raportimin që bën Ministri i Financave një herë në 4 muaj në Komisionin e Ekonomisë”. “Në kuptim të Kushtetutës, borxhi shtetëror duhet të trajtohet në mënyrë transparente përsa kohë bëhet fjalë për Financa Publike. Vërej se dispozitat në ligjin 181/2014 nuk e ofrojnë dicka të tillë dhe për më tepër bëjnë të qartë një pushtet të pakufizuar  dhe aspak transparent të ekzekutivit në procesin e marrjes së borxhit”, thotë Presidenti.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'