Rama: Familjarët e viktimave të 21 Janarit duan drejtësi, jo dëmshpërblim (II) | Debat 24

Rama: Familjarët e viktimave të 21 Janarit duan drejtësi, jo dëmshpërblim (II)

By Debat24
In Big Slider
January 26, 2015
0 Comments
658 Views

Edi Rama 21 janariKryeministri Edi Rama foli në intervistën e tij në “Shqip” në “Top Channel” edhe për ngjarjet e 21 janarit dhe kërkesat e familjarëve të viktimave. Ai hodhi poshtë që ata të kenë kërkuar dëmshpërblim.

Dua t’ju bëj një pyetje që e ndesha sot në gazetën Panorama. Ishte një shkrim i marrë prej BIRN dhe ka të bëjë me faktin që një natë para përvjetorit të 4-t të 21 janarit, një përfaqësues i Qeverisë ka negociuar deri vonë me avokatin e familjarëve të viktimave, gjë e pohuar nga avokati për BIRN-in, për të arritur një marrëveshje për dëmshpërblimin e jetëve të humbura gjatë protestës. Negociata ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes dhe ka dështuar, pasi Qeveria ka refuzuar të paguajë 400 milionë lekë për familjet e  Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës.

Kjo është një tjetër idiotësi dhe i duhet vënë, në fakt, emri i duhur këtyre lloj idiotësive, sepse dihet fare mirë që Qeveria nuk ka në dorë të përcaktojë një dëmshpërblim që e përcakton gjykata. Praktikisht, familjet e të vrarëve të 21 janarit, këtë kërkesë do ta çojnë përpara në rrugë gjyqësore. Pra, asnjëherë nuk kanë ardhur të kërkojnë prej nesh shifra të tilla, apo të pretendojnë prej nesh dëmshpërblimin që shtetit shqiptar i takon t’ua japë bazuar në një vendim gjykate.

Nuk ju kanë kërkuar juve dëmshpërblim asnjëherë, as atë natë?

As që bëhet fjalë. Përkundrazi. E vetmja gjë që ata kërkojnë është drejtësia, ende sot e gjithë ditën e munguar për 21 janarin.

Por të tjerë kërkojnë edhe diçka tjetër, kërkojnë që familjarët të vënë lule kur ka përvjetor, ju të vini drejtësi.

Këtë e thoni ju, ata nuk ma kanë thënë. Përkundrazi, në të dyja herët që kemi pasur mundësinë dhe detyrimin ta bëjmë këtë ritual të kujtimit të asaj tragjedie, më shumë sesa mirë, që këtë gjë e kemi bërë sëbashku.

Ju e drejtoni atë zyrë tani, që dikur ishte Kryeministër Sali Berisha. Kanë të drejtë shqiptarët të dinë se çfarë ndodhi atë ditë tamam në atë zyrë dhe dikush të marrë përgjegjësi, qoftë ku edhe ish Kryeministri Berisha?

Unë e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris prapë; 21 janari është një krim politik, është një krim shtetëror dhe është një krim që historia tregon se nuk është e lehtë të zgjidhet në rrugën e drejtësisë, por është një nga ato krime për të cilët drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Ndjehem i neveritur nga komentet e hijenave që jetojnë me një formë vërtetë të ulët të të bërit propagandë apo të të bërit informacion, nëse mund të quhet informacion, që në këtë 21 janar i veshën padrejtësisht qeverisë sonë një mëkat që qeveria jonë nuk e ka; Të mëkatit që ne e kemi harruar 21 janarin, që nuk kemi bërë asgjë për 21 janarin, që ne nuk po zbardhim 21 janarin apo që jemi të penguar për zbardhjen e 21 janarit.

Ju nuk e keni harruar, por ju nuk keni bërë asgjë.

Kjo është e pavërtetë!

I keni dhënë pension dhe kaq.

Kjo është e pavërtetë! Se kjo është, fatkeqësisht, bota e deformuar e informacionit dhe unë këto gjëra i kam thënë kur kam qenë në opozitë, i kam thënë edhe më parë dhe nuk kam ndërmend të mos i them tani. Edhe pse tani, për shkak të detyrës, përpiqem të jemi i rezervuar në kritikën time ndaj kësaj bote të deformuar të informacionit. Muaj më parë Ministria e Brendshme i është drejtuar Prokurorisë me një kërkesë konkrete, bazuar në pretendime konkrete për të rihapur çështjen e 21 janarit. Kjo është ajo që ne kemi mundur të bëjmë deri sot. Sigurisht ne nuk jemi as prokuroria dhe as gjykata. Ajo çka mund të bëjmë ne është të këmbëngulim dhe të kërkojmë. Kemi gjetur një kënd për të bërë një hap përpara. Po punojmë edhe nga një kënd tjetër, për të angazhuar edhe një studio ndërkombëtare, çka nuk rezulton të jetë fortë e lehtë në kuadrin tonë legjislativ, por ne as kemi reshtur dhe as do të reshtim së kërkuari rihapjen e çështjes dhe gjykimin e saj në themel, për të nxjerrë të gjithë përgjegjësit lidhur me tragjedinë e 21 janarit.

E anashkaloni bisedën e 21 janarit me zotim Meta?

Ç’domethënë kjo?!

A flisni për 21 janarin?

Mund t’ju them, pa shtuar dhe hequr asnjë presje, se qëndrimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë është ai të cilin e ka bërë publik qysh në orët e para të krijimit të kësaj aleance, se me patjetër drejtësia duhet ta zbardhë deri në fund 21 janarin dhe çdo fajtor i gjendur si i tillë përpara drejtësisë duhet të ndëshkohet. Është një përpjekje shumë e ulët për të ngatërruar atë çka është sot,- sot për sot, se unë jam i bindur se nesër nuk do të jetë kështu,- një pengesë objektive përpara nesh, që është  ky sistem i drejtësisë, që kemi me Aleancën e PS me LSI, apo me bashkëpunimin tim me Ilir Metën. Gjë që për asnjë moment nuk ka qenë pengesë, përkundrazi!

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'