Çfarë nuk tha Ben Blushi? | Debat 24

Çfarë nuk tha Ben Blushi?

By Debat24
In Opinion
February 11, 2015
0 Comments
723 Views

Blendi Fevziu libriNga Blendi Fevziu

Pse shkrimi i Blushit pati në rrjetet sociale kaq efekt, pyeta veten dje në mbrëmje? Ai dhe një shkrim i Mehmet Krajës për ikjet në Kosovë kishin maksimumin e leximeve, në një mori lajmesh, analizash dhe si gjithnjë, akuzash pështyrëse. Besoj se përgjigjia më bindësja është ajo se ndryshe nga gazetarët e zakonshëm, Blushi thotë disa të vërteta për politikën duke qenë edhe vetë pjesë e saj. Dhe i thotë këto jo për kundërshtarët, por për familjen e tij politike. Si një reflektim dhe pendim edhe i tiji vetë.
Tezat e Blushit për varfërinë dhe dështimin e politikës në luftën ndaj saj nuk janë të reja. Nuk janë as teza vetëm shqiptare. I gjithë rajoni mbërthehet në një debat si ky. As tezat për mungesën e shpresës dhe mbi të gjitha për modelet e përmbysur që po i afishojmë rinisë dhe brezit të ri. Janë pjesë e një shqetësimi të madh, në të cilin nëse fqinjët janë realisht të shqetësuar, ne më shumë bëjmë sikur shqetësohemi. Nuk do merrem me modelet që po krijojmë dhe me pabarazinë në shoqëri. Nuk dua të them se përse shoqëria shqiptare po prodhon më shumë pabarazi dhe përse të pasurit po i përdorin politikanët si marioneta në funksion të interesave të tyre. Përse të rinjtë shohin me trishtim se modeli që ju ofrojmë sot, është madje larg atij që i jepnim 25 vjet më parë. Të dyja do t’i trajtoj më gjerë në një shkrim tjetër. Dua të merrem me tezat e Blushit, duke thënë ca gjëra që angazhimi politik, Blushit nuk ja ka lejuar t’i thotë! Do ndalem vetëm tek njëra prej tezave të tij, tek dallimi mes reformës dhe masave! Dhe tek ideja se përse selektiviteti dhe jo zbatimi i ligjit, krijojnë në vetvete pabarazi!
Blushi ka të drejtë që dallon reformën nga masat. Janë kaq të ndryshme dhe të dyja meriotjnë një reflektim të thellë. Por nuk duhet të harrojmë që në një vend të varfër dhe mosbesues, reformat që të kenë sukses kanë nevojë për konsensus. A ka pasur këtë vizion mazhoranca e Blushit për të ndërtuar disa reforma thelbësore në konsensus me opozitën? Veç reformës territoriale ku pati një tentative për bashkëpunim, (dhe këtu për mua personalisht refuzimi i opozitës ishte i pasens) cilat janë reformat e tjera të rëndësishme që kjo mazhorancë i vuri në lëvizje duke kërkuar edhe konsensusin e opozitës?
Të kryesh reforma të pakontestueshme kërkon vizion, besim, por edhe frymëzim. Kur nuk je i aftë t’i kombinosh këto atëherë së paku fuqizon respektimin e ligjit. Një prej difekteve më të mëdha në këtë shoqëri! Kjo hyn në terrenin e masave. Ndryshe nga Blushi une nuk mendoj se kjo masë (respektimi i ligjit) është shtrënguese për publikun. Pra në dëm të tij. Unë mendoj se ata që kanë ndërtuar pa leje duke shkelur rrugë publike, parqe apo plazhe duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë; mendoj se ai që nuk paguan energjinë po ashtu duhet të mbajë përgjegjësi; se ai që nëpërkëmb rregullat e qarkullimit dhe tallet me policin po ashtu duhet të përgjigjet. Në fund të fundit, këtu dallon një qytetar model nga një shkelës i ligjit. Njëri jeton normal në shtetin e tij, tjetri ndëshkohet. Unë mendoj ndryshe nga Blushi. Mendoj se masat, janë tejet të rrezikshme kur ato zbatohen në mënyrë selektive. Ti nuk mund të shembësh një lokal qyqari, edhe pa leje, kur nuk vë dorë mbi ndërtesa gjigande që lartohen në plazhe, parqe apo në mes të rrugëve vetëm sepse ato janë prona të përsonave të lidhur me pushtetin apo pjesë e tij; Ti nuk mund të burgosësh një qytetar për një faturë prej 5 mijë lekësh ndërkohë që për biznese me mbi 200 milion pa paguar detyrohesh të negociosh sepse kështu kërcënohet biznesi; ti nuk mund të gjobisësh një qytetar sepse parkon gabim apo hyn me të kuqe në semafor, kur gjithë deputetët e parlamentit parkojnë mbi trotuare, nuk i ndalojnë policëve madje as i hapin derën e makinës policisë në një moment kontrolli për drogë. Kjo është selektive dhe selektiviteti është edhe më i keqe se sa shkelja e ligjit. Sepse përveç shkeljes së ligjit prodhon edhe pabarazi!
Pabarazia e ardhur nga selektiviteti krijon modele të këqkuptuar dhe të përmbysur. Krijon mite që të rinjtë i marrin të gatshëm dhe më pas, i riprodhojnë si një problem për shoqërinë! Modelin e njeriut që nuk rritet mbi aftesinë dhe shkollimin e tij, por mbi lidhjet me politikën. A është një model i keqkuptuar ai i deputetit që vjen në Parlament?! A i kishim 25 vjet më parë, edhe pse me shumë më pak eksperiencë deputetët ndër më të shkolluarit në vend. Dhe njerëz me histori suksesi në fushat e tyre. Po sot, si mund ti frymëzosh të rinjtë për të qenë të shkolluar, kur në karriget e parlamentit ulen persona ndër më problematikët? Pa shkollim dhe me të shkuar të dyshimtë?!
Unë besoj se respektimi i ligjit e ngjall dhe nuk i merr frymën këtij vendi. Por nëse të drejtat e të pasurve i mbrojnë të gjithë në qeveri dhe parlament, nuk di cili mbron të drejtat e të varfërve në këtë vend; Kush është peng i politikës si ata dhe kush e ndjen në lëkurë dhimbjen e varfërisë dhe diskriminimin që vjen prej saj? A di njeri të më japë një përgjigje të saktë? Blushi mbase e si më mirë këtë gjë…

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'