Gazeta e Kokëdhimës paralajmëron ndryshime në qeveri, ikën Cani | Debat 24

Gazeta e Kokëdhimës paralajmëron ndryshime në qeveri, ikën Cani

By Debat24
In Big Slider
February 2, 2015
0 Comments
1060 Views

Qeveri RamaE përditshmja “Shekulli”, e zotëruar nga deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin qeveritar. Në një shkrim të sajin, e përditshmja publikon edhe detaje nga mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave, ku shefi i qeverisë, Edi Rama, ka adresuar kritika për disa ministra. Shkëlqim Cani, ministër i Financave, raportohet të ketë qenë në fokus të kritikave të kryeministrit. Gjithashtu, “Shekulli” përmend edhe ministrat Beqja e Nikolla si të kritikuar nga Rama. Më poshtë shkrimi i plotë:

Mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave nuk ka qenë aspak e lehtë për ministrat e kabinetit qeveritar, në mënyrë të veçantë për kreun e Financave, Shkëlqim Cani. Burime nga qeveria konfirmojnë për “Shekullin”, kritikat e ashpra që kryeministri Edi Rama i ka drejtuar ministrit të Financave lidhur me performancën e dobët të dikasterit që ai drejton. Mësohet se një ndër çështjet që ka qenë në vëmendje të kreut të ekzekutivit ishte mosshlyerja në kohë e pagave të buxhetorëve. Në fillim të këtij viti pati sërish vonesa në paga për arsimtarët e ciklit 9-vjeçar e të mesëm. Situatë kjo e përsëritur 2 herë brenda një viti e gjysmë qeverisje. Mësohet se Rama ka kërkuar më shumë punë edhe nga ministrat e tjerë edhe pse nuk kanë munguar as vlerësimet për disa prej tyre. Burimet zyrtare nga qeveria nuk kanë dhënë detaje mbi mbledhjen e së mërkurës por nuk kanë mohuar debatet në të.

Kritikat

Performanca e dobët e ministrit Cani është kritikuar ashpër nga kreu i qeverisë Rama. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të zhvilluar të mërkurën, mësohet se Rama ka renditur disa nga dobësitë që sipas tij, janë vënë re në punën e ministrit të Financave. Vonesat në pagesat e punonjësve të administratës shtetërore ka qenë vetëm një nga problematikat e theksuara fort nga kryeministri. Në një kohë që shqetësim kanë qenë edhe ankesat e pushtetarëve vendorë për ndarje jo të drejtë të fondeve për njësitë vendore. Edhe pse shpesh kreu i qeverisë ka vlerësuar punën shumë të mirë të bërë nga Drejtoria e Doganave dhe Drejtoria e Tatimeve, dikastere në varësi të Ministrisë së Financave, të cilat kanë rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat e siguruara, menaxhimi i përgjithshëm i kabinetit ministror duket se ka pasur probleme që nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së kryeministrit. “Përfiton nga fakti se ke ende mandat”, – mësohet t’i jetë drejtuar Rama kreut të Financave. Ministri Shkëlqim Cani është i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar, i cili ka ende edhe mandatin e deputetit në një kohë që gjithë ministrat e tjerë e kanë dorëzuar atë duke ia lënë karrigen e deputetit, kandidatëve të radhës në listën zgjedhore të Partisë Socialiste. Problemet në shlyerjen e pagave të buxhetorëve janë bërë publike edhe në media. Në nisje të këtij viti, mësuesit e arsimit parauniversitar kanë pasur mbi 1 javë vonesë në marrjen e pagave të tyre. Kjo situatë ka qenë edhe më e rëndë në janarin e vitit 2014, por përsëritja për të dytën herë brenda një viti e gjysmë qeverisje, nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së Ramës. Por kreu i Financave nuk ka qenë i vetmi ministër që ka marrë kritika. Më shumë punë është kërkuar dhe nga Ministria e Shëndetësisë apo edhe e Arsimit, të cilat janë në një fazë të rëndësishme sa u përket reformave të nisura. Mësohet gjithashtu se kryeministri ka vlerësuar disa ministra, si ai i Mjedisit, Lefter Koka, për zbatimin e Moratoriumit për Gjuetinë, lavdërime të cilat nuk kanë munguar as publikisht. I kontaktuar nga “Shekulli”, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi nuk dha detaje mbi mbledhjen, por nuk mohoi debatet, ndërsa disa ministra nuk pranuan të komentonin. Kjo situatë debatesh në qeveri pritet të sjellë ndryshime dhe në përbërje të kabinetit qeveritar.

Rama ende nuk ka pohuar zyrtarisht për ndonjë lëvizje, por burimet brenda kabinetit qeveritar paralajmërojnë ndryshime të mundshme. Kjo situatë debatesh në qeveri është paraprirë nga debatet e zhvilluara në mbledhjet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ku deputetët kanë kritikuar shpesh ministrat për mungesë komunikimi apo përgjegjshmërie. Disa nga këto debate madje janë zhvendosur edhe në seancë plenare si rasti i deputetit Sadri Abazi me ministrin Cani kur ligjvënësi nuk është kursyer t’i kujtojë kreut të Financave “se unë të bëra deputet”. Ndërsa në tetorin e vitit të kaluar kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi nuk i kurseu tonet e ashpra për ministrat, të cilët, sipas tij nuk mund të fshiheshin pas kryeministrit. “Unë nuk isha në gjendje të dalloja ku fillon dhe ku mbaron ministri nga kryeministri. Zotërinj ministra kur vini këtu në parlament duhet të mendoni se nuk jeni kryeministër por vini për të dhënë llogari dhe jo të fshiheni pas thirrjes që ju bëri kryeministri. Dëgjova ministrin e Brendshëm dhe atë të Energjisë që janë përfshirë në aksion, qeverisja nuk bëhet me aksion, qeverisja bëhet me qeverisje çdo ditë”, – ishte deklarata e Ruçit në seancë plenare, ndërsa po diskutohej për aksionin e qeverisë kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Në këtë situatë kryeministri Rama zgjodhi që të jetë në krah të ministrave, ndërsa deklaronte se: “Duke e falënderuar kryetarin e grupit për nxitjen e mëtejshme të këtij diskutimi, dua të shpreh gjithë vlerësimin tim më të lartë për punën e shkëlqyer të ministrit të Energjisë, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mirëqenies Sociale, ministrit të Ekonomisë dhe të gjithë grupit që duhet të jenë sot krenarë që ja kemi dalë ta vendosim këtë proces në atë rrugë që nuk është më rruga pa fund e 20 viteve”. Vlerësime këto që kryeministri ka vazhduar t’i shprehë edhe në mbledhjen e së mërkurës, por jo për të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'