Kanabisi mjekësor, të kapërcesh mbi komplekset dhe antagonizmin politik | Debat 24

Kanabisi mjekësor, të kapërcesh mbi komplekset dhe antagonizmin politik

By Debat24
In Opinion
February 26, 2015
0 Comments
695 Views

Arben Rrozhani1Arben Rrozhani/”Shekulli”

Ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajë sot një fjalim për legalizimin e kanabisit mjekësor. Kuptohet që është kundër dhe të tillë do ta mbajë ligjëratën e stërgjatë në Kuvend, duke dalë në foltore disa herë, siç e ka zakon. Do të akuzojë qeverinë Rama-Meta, për “dështimin” e saj për të krijuar mirëqenie, punë dhe prosperitet për shqiptarët. Do të deklarojë me shumë ngazëllim se “Rilindja” përfundoi po tek ajo Shqipëri që ai la pas ikjes me votë nga pushteti: një vend që e mbështet zhvillimin ekonomik te lënda narkotike, te trafiku dhe kriminaliteti. Padyshim që do të merret edhe me Koço Kokëdhimën, deputetin e PS-së, që pas disa javësh nuk është më zëri i vetëm në shkretëtirë që kërkon legalizimin e kanabisit mjekësor, si një veprimtari prodhuese, fitimprurëse dhe nën tutelën e shtetit ligjor, e cila do të gjenerojë të ardhura të mira për një vend, që ende nuk ka arritur ta marrë veten nga sfilitja ekonomike ku e la qeverisja 8-vjeçare e PD-së. Do të merret, siç u mor edhe dje, duke shpifur për fonde publike të marra padrejtësisht, me një akuzë të nxjerrë nga arkiva, më synimin për të goditur deputetin që po mbron idenë e një burimi, që do t’u jepte të ardhura mijëra shqiptarëve dhe fonde shtetit.

Sot, në Kuvendin e Shqipërisë, do të kemi dy kampe politike që kanë problemet e tyre me historinë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në të djathtë dhe pas foltores do të jetë shumica qeverisëse. Ajo, për fat të keq, ka ngërçin më të madh mbi këtë temë të nxehtë debati që kërkon zgjidhje ligjore dhe shumë kurajë. Të flasësh sot për legalizimin e kanabisit mjekësor, për disa në radhët e deputetëve të majtë, është ende herezi. Kompleksi i tyre është i justifikuar, sepse ishte kjo shumicë ekzekutive dhe legjislative që ngriti në qiell aksionin qeveritar për çrrënjosjen e çdo bime kanabisi nga “Republika e Lazaratit”, në zonat e thella të Tepelenës, të Krujës, Dukagjinit dhe në çdo vend, ku gjithkush që kishte pak farë, kultivoi bimën e ndaluar. Fatmirësisht, të kompleksuarit e të majtës, sot janë në minorancë dhe pak nga pak po e kuptojnë se “namuzi” përballë të djathtës së “bërë dru” nga mbidoza e drogës politike, duhet të jetë një e shkuar historike, që nuk ka më vend në botën e vitit 2015, ku çdo shtet, nga SHBA-të deri në Europë, po shfrytëzojnë çdo resurs ekonomik dhe shteg ligjor për t’i dhënë jetë një ekonomie të re, që rëndom quhet “ari i gjelbër”. Shumë deputetë të majtë, jo vetëm ata që patën kurajën qytetare për t’u shprehur te “Shekulli” këto ditë, ekspertë financiarë, apo drejtues vendorë, duke marrë shembullin e shteteve federale në SHBA, apo vendeve të tjera në Europë, po bëhen partizanë, dhe nesër do të jenë vota pro të legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore – një sipërmarrje fitimprurëse e kontrolluar nga shteti, që do të sjellë të ardhura dhe punë për mijëra fermerë të vendit, të ardhura të nevojshme për buxhetin e shtetit dhe për njësitë e qeverisjes vendore.

Në të majtë të sallës së Kuvendit, do të jetë e djathta. Për të kanabisi ka qenë historikisht veprimtaria kriminale, që sillte milionat për kontrolluesit e trafikut ilegal që ishin, padyshim, zyrtarët e saj, që e kontrollonin këtë biznes fitimprurës ilegal nga pushteti vendor, nga forcat e rendit dhe nga në pikat e kalimit kufitar. Ajo nuk e ka dashur eliminimin e nëntokës monetare të kanabisit, sepse ka dashur ta ketë për vete, si aset dhe pjesë të errët të financimeve jopublike. E ka mbrojtur Lazaratin edhe kur ishte në opozitë, kur qëllonte helikopterët italianë në 2004-ën. E mbrojti edhe kur ishte në pushtet për tetë vjet, duke e lënë atë zonë dhe të tjera jashtë juridiksionit qeveritar, në pamundësi për t’i ofruar investime shtetërore dhe shërbime qeveritare; duke bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh për një ekonomi kriminale që u jepte vetëm thërrimet kultivuesve apo argatëve, dhe miliardat kontrolluesve të trafikut, që rëndom ishin në anën e saj.

Sot bëhet fjalë për një skemë tjetër, që është e kundërta: një model që është shtrirë prej vitesh, nga Kanadaja në SHBA, nga Britania e Madhe në Holandë, Francë dhe vende të tjera europiane, dje në Xhamajkën ishullore dhe pas pak muajsh, edhe në Kroacinë tonë ballkanike. Është skema e formalizimit, e dekriminalizimit të veprimtarisë së kontrolluar nga shteti, i cili do të bëjë detyrën që i takon, ashtu siç po e bën në energji, ujë, tatim-taksa apo biznes. Do të jetë thjesht një biznes, për të cilin na ka treguar me gisht bota deri dje, si varieteti më i mirë në Europë, dhe nesër, do të jetë një degë e rëndësishme e ekonomisë sonë eksportuese, për atë industri farmaceutike që sot është ligjëruar në shumë vende të Europës, ndërsa të tjera po nxitojnë ta bëjnë.

Kjo është një betejë e nisur për t’u fituar, siç ka ndodhur në shumë prej vendeve të tjera, që po e pranojnë si realitet të pamohueshëm. Por duhet nxituar në këtë ekonomi globale, ku suksesi është i markave më të mira dhe ne e kemi atë, siç ka verën Franca, sepse e tillë është toka dhe ne nuk duhet ta lëmë këtë tokë djerrë, të papunuar apo të keqtrajtuar, dhe nuk mund t’i lëmë ata mijëra fermerë, deri dje te kriminalizuar dhe sot të pashpresë, për inate politike, për komplekse të së shkuarës dhe për dritëshkurtësi në programet e zhvillimit.

PS-ja dhe PD-ja kanë arritur dhe kanë bërë ujdi, kur ka qenë nevoja, edhe për synime afatshkurtra dhe që kanë patur fare pak ndikim në jetën social-ekonomike të vendit. Dakordësia për një projekt madhor, siç është legalizimi i kanabisit mjekësor, nuk do të ishte aspak herezi politike, por një kapërcim mbi kompleksin e të majtës dhe antagonizmin e të djathtës; një akt që do të tregojë se sa i duan partitë ata njerëzit poshtë, të cilëve u kërkojnë votat, por që duan jo vetëm bukën e sotme, por edhe zhvillim të qëndrueshëm nesër.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'