Me Edi Ramën dhe një problem i sistemit | Debat 24

Me Edi Ramën dhe një problem i sistemit

By Debat24
In Op-ED
February 28, 2015
0 Comments
909 Views

Elton MetajNga Elton METAJ

Shpërthimi i deputetit Tom Doshi kundër kryeministrit Edi Rama ishte ndër zhvillimet më interesant në politikën e muajve të fundit. Në ambientin shqiptar, jo vetëm politik, një sherr mes dy vëllezërve është më tërheqës se ai mes dy fqinjëve. Për rrjedhojë, Tom Doshi dhe deklaratat e tij arritën kulmet e vëmendjes, ndoshta edhe shumë më tepër se akuza më të rënda që kanë dalë nga opozita.

“Bomba” e lëshuar nga Tom Doshi dhe një drekë e tij e mëpasshme me deputetin Kokëdhima, nuk janë ndjekur nga ndonjë koment i vetë kryeministrit. Ai ka preferuar ta lërë ujin të rrjedhë, duke testuar në rradhë të parë opinionin publik. I apasionuar pas leximit të perceptimit të votuesve, Edi Rama duhet të ketë në tavolinën e tij të punës, pas kthimit nga Rumania, një raport mbi përshtypjet e votuesve lidhur me rastin “Doshi”. Përtej të dhënave statistikore dhe mënyrës që Rama do të zgjedhë t’i lexojë ato, për t’i shndërruar në shtysë mbi lëvizjet e ardhshme, bie në sy qartësisht se kryeministri i Shqipërisë është agresuar. Forma e përdorur nga Doshi në shprehjen e shqetësimeve të tij, gjestet në seancë ndaj shefit të qeverisë dhe ultimatumet, nuk na vendosin në kushtet kur qëllimi justifikon mjetin. Shumë shqiptarë duhet të jenë ndjerë të pafuqishëm, teksa kanë parë në Kuvend, që kryeministri Rama përpiqej të evitonte ndërthurjen e shikimeve me deputetin Doshi, i cili nuk ngurronte ta kërcënonte hapur. Ndaj në këtë “betejë”, Edi Rama duhet mbështetur, pasi ai si kryeministër nuk mund dhe nuk duhet të ndihet i kërcënuar apo i shantazhuar. Jo sepse, Edi Rama ka qeverisur mirë apo keq në këta 18 muaj. Kjo sot ka pak rëndësi. Kryeministri i Shqipërisë së vitit 2015, vend anëtar në NATO dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, nuk mund dhe nuk duhet të ndihet i rrethuar nga askush, qoftë ky edhe një deputet me kontribut për fitoren e zgjedhjeve parlamentare. E pra, zgjedhja mes Edi Ramës dhe Tom Doshit anon nga kryeministri. Edi Rama sot duhet mbështetur, sepse sot duhet mbështetur kryeministri.

Megjithatë, nëse besojmë ndjekës të vëmendshëm të politikës, pajtimi mes Ramës dhe Doshit do të ndodhë. I afërt apo i largët, kjo mbetet për t’u parë. Dhe pikërisht ata që preferuan të merrnin anën e njërit apo tjetrit do të ndjehen më keq, ndërsa proklamuesit e unitetit dhe demokracisë së brendshme në parti do të jenë gjithnjë të fituar.

Gjatë dhe pas këtij sherri vlen të ndalemi në një pikë tjetër. Ajo që po kuptojmë dhe vërtetojmë, pikërisht këto ditë, është një marrëdhënie e deformuar mes qeverisë, deputetit dhe zgjedhësve. Dhe këtu Edi Rama ka pjesën e tij të fajit. Pak muaj më parë, ai do të na mburrte publikisht një grup deputetësh, mes të cilëve edhe “armikun” e tij të këtyre të ditëve, se ndjekin shqetësimet e zgjedhësve të zonave nga vijnë. Shefi i qeverisë do ta ilustronte merakun e deputetëve me angazhimin e tyre për të shoqëruar në spitalet e Tiranës nevojtarët nga zona të largëta të vendit. Dhe sigurisht që deputetët mirë bëjnë, ndonëse këtu lind problemi. Ata nuk janë zgjedhur në Kuvend për të zëvendësuar ambulancat apo ndarë shtretërit nëpër spitale. Në një gjuhë më të sofistikuar politike, 140 burrat dhe gratë që zënë vend në sallën e seancave plenare quhen ligjvënës. Ata nuk janë as mbikëqyrës apo financues punimesh për ndërtim rrugësh e ujësjellësash, as presidentët në hije të klubeve të futbollit dhe as mbajtës të çelësave të emërimit të drejtorëve në zonat ku kanë marrë votat. Për këto punë janë votuar apo emëruar të tjerë njerëz. Imagjinoni për një çast sikur Tom Doshi, si deputet nga një zonë rurale, do të debatonte ashpër në Kuvend me Edi Ramën dhe Edmond Panaritin gjatë diskutimit të projekt-buxhetit, për të shumëfishuar mbështetjen për bujqësinë. Fondet dhe programet e shtuara për bujqësinë do të ishin një mundësi më tepër punësimi dhe të ardhurash edhe për mijëra njerëz në fshatrat e Shkodrës. Por kjo nuk ndodh. Mbi të gjitha nuk ndodh për një arsye. Nga vetë qeveria dhe kryeministri, deputetët janë parë dhe trajtuar si të plotfuqishmit e zonës nga vijnë. Kjo i ka bërë parlamentarët e shumicës, sot dhe në të shkuarën, jo ligjvënës, por guvernatorë, me sytë jo nga cilësia e ligjeve, por nga buxheti. Dhe në këtë histori, Tom Doshi ka të drejtën e tij të kërkojë më shumë fonde për disa ujësjellës në Shkodër. Ndonëse ky ujë nuk shkon në rubinetët e duhur të mirëqeverisjes. Përplasja e këtyre ditëve do të na japë një dëshmi më tepër se ku po shkon ky ujë.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'