“Në gjyq me Edi Ramën për foton e Vaçe Zelës” | Debat 24

“Në gjyq me Edi Ramën për foton e Vaçe Zelës”

By Debat24
In Art
February 10, 2015
0 Comments
1718 Views

Fotoreporteri Nuri Çumani dorëzon në Gjykatën e Tiranës padinë ndaj kryeministrit për përdorimin e fotos së këngëtares së njohur në faqen e kryeministrisë, profilin e tij në “Facebook” dhe ceremoninë mortore të Vaçes. Shefi i qeverisë e ripërdori foton gjatë ditëve të fundit të dhjetorit 2014

Vace Zela Edi RamaKryeministrit Edi Rama do t’i duhet të përballet në gjyq lidhur me përdorimin e një fotoje të këngëtares së njohur, Vaçe Zela, pa marrë më parë miratimin e autorit të saj. Fotoreporteri Nuri Çumani ka nisur betejën ligjore për të mbrojtur të drejtën e autorit, lidhur me një foto që i ka realizuar këngëtares Vaçe Zela, e cila u nda nga jeta rreth një vit më parë. Foto u përdor nga kryeministri Rama në profilin e tij në “Facebook”, faqen zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ceremoninë zyrtare mortore, të organizuar nën kujdesin e shefit të ekzekutivit. Sipas burimeve nga Gjykata e Tiranës, tashmë në sekretarinë e saj është depozituar padia për dëmshpërblim e fotoreporterit Nuri Çumani. Ai mësohet se ka depozituar gjithashtu pak ditë më parë edhe dokumentacionin e nevojshëm, që vërteton pronësinë mbi foton e këngëtares apo atë që quhet si e drejtë e autorit.

Çumani mban në arkivin e tij mijëra e mijëra foto të artistëve më të famshëm të Shqipërisë, pasi për shumë vite ka qenë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit, duke fiksuar çdo moment. Megjithatë, fotoja e tij për Vaçen ka një histori të veçantë. Ajo nuk është pjesë e punës së fotoreporterit, por është realizuar në shtëpinë e këngëtares. Pikërisht kjo foto, është publikuar një vit më parë në shumë media, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa nuk ka munguar të përdoret edhe nga kryeministri Edi Rama për të shkruar ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të këngëtares.

Vace Zela Edi Rama1Si të mos mjaftonte përdorimi i fotos në ditët e ndarjes nga jeta të Vaçe Zelës, fundviti i shkuar ka sjellë një tjetër “surprizë”. Foto është përdorur nga kryeministri Rama edhe në përmbledhjen e vitit 2014, kur ai zgjodhi në “Facebook” edhe “Foton e Vitit”.

Intervista

“Fotoja është realizuar në vitin 1983, në shtëpinë e Vaçes”, është shprehur në një intervistë të tij Çumani, i cili për shumë vite kishte ndërtuar edhe një miqësi personale me këngëtaren e njohur. Fotoreporteri ka rrëfyer në këtë intervistë, një vit më parë, se kishte këmbëngulur prej kohësh që të fotografonte Vaçen, por ajo ngurronte. “Atë ditë të vitit 1983, Vaçja pranoi të fotografohej dhe i premtova që nëse nuk do të ishte e kënaqur me foton, unë nuk do ta mbaja në arkiv”, ka thënë fotoreporteri. U deshën pak shkrepje dhe pamja e Vaçes u fiksua në aparatin e Çumanit, duke shërbyer edhe si një moment historik. “Kam bërë në skennën e Teatrit të Operas dhe Baletit me mijëra foto të artistëve, por kjo ishte në jetën private të Vaçes, në shtëpinë e saj”, ka kujtuar ai. Me shallin hedhur mbi shpatulla, kokën e anuar pak majtas, këngëtarja, e cila nuk i kishte shumë qejf blicet e aparateve, ka mbetur aty, për ta parë me miliona e miliona herë nga mijëra e mijëra njerëz. Por ndarja nga jeta e Vaçes nuk ishte për fotoreporterin Çumanin vetëm humbja e një mikeshe dhe një njeriu që e vlerësonte shumë. “Jam habitur kur kam parë foton time në faqet e gazetave apo online, pa marrë leje dhe pa cituar autorin e fotos”, ka thënë fotoreporteri. Ai është shprehur edhe më i habitur kur nënvizon se disa media, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i kishin mbivendosur fotos së tij logon e tyre. “Kjo ishte absurde, – ka thënë Çumani,- disa i kishin prerë një pjesë të flokëve, të tjerë i kishin ndryshuar sfondin”. “Eshtë njësoj sikur në foton e një portieri të presësh duart”, është shprehur ai. Vace Zela Nuri CumaniNë këtë mes nuk mungonte edhe gabimi i kryeministrit Edi Rama. Vetëm pak orë pasi u mësua lajmi për vdekjen e Vaçe Zelës, në faqen zyrtare të qeverisë dhe në “Facebook”-un zyrtar të kryeministrit do të shfaqej foto e këngëtares së njohur, që Çumani kishte realizuar 31 vjet më parë. Edhe në foton e publikuar nga kryeministri, sfondi ishte nxirë dhe mbi të ishte shkruar mesazhi ngushëllues i Ramës. Askush nuk ishte kujtuar për autorin e asaj fotoje. Ishte punuar me nxitim në programin kompjuterik, ishte vendosur mesazhi i shefit të qeverisë dhe ishte shpërndarë. Për më tepër, edhe në ceremoninë mortore të organizuar nën kujdesin e kryeministrit dhe Ministrisë së Kulturës, në faqen ballore të Teatrit të Operas dhe Baletit, ishte vendosur sërish fotoja e Çumanit.

“Për mua nuk është një betejë për paratë, por për punën dhe të drejtën time”, është shprehur fotoreporteri. Ai prej vitesh nuk është ndarë nga aparati dhe ka ruajtur me mijëra foto si prodhime dhe kujtime krejt të veçanta. Rasti i fotos së Vaçe Zelës i ka shërbyer të marrë miratimet dhe vërtetimet përkatëse nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Drejtës së Autorit, ndërsa është familjarët e këngëtares së ndarë nga jeta i kanë lëshuar dëshmitë përkatëse për autenticitetin e veprës së realizuar.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'