Panariti, bankave: Përmbytja, të pezullohen këstet e kredisë për fermerët | Debat 24

Panariti, bankave: Përmbytja, të pezullohen këstet e kredisë për fermerët

By Debat24
In Biznes
February 5, 2015
0 Comments
595 Views

Edmond PanaritiMinistri i Bujqësisë Edmond Panariti, për t’i  ardhur në ndihmë fermerëve dhe bizneseve të prekur nga përmbytjet masive në jug të vendit, i ka dërguar një letër zyrtare Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, për tu kërkuar pezullimin e kësteve të kredive për të dëmtuarit, për një periudhë 1-2 vjeçare. Ministri Panariti u kërkon bankave t’u vijnë në ndihmë fermerëve dhe bizneseve të dëmtuara, duke riparë kushtet e kredisë dhe duke hequr penalitetet për vonesat në pagimin e kësteve.

“Siç jeni në dijeni, ditët e fundit, në të gjithë territorin e vendit tonë, kanë rënë reshje të shumta shiu që kanë sjellë dëme të mëdha, në ekonomitë bujqësore dhe blegtorale, tek fermerët privat. Nga informacionet që kemi, janë të shumtë fermerët që kanë marrë kredi, për zhvillimin e aktivitetit të tyre dhe janë vënë në vështirësi të mëdha, për realizimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale, të cilat mund të ulin ndjeshëm prodhimin e tyre. Në këto kushte, me cilësinë e drejtuesit të këtij dikasteri , duke qenë tërësisht në dijeni për dëmet e shkaktuara, kërkoj ndihmesën Tuaj për përballimin me sukses të kësaj situate, që ka ardhur tërësisht për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Kërkoj ndihmesën Tuaj për të pezulluar pagesat e kësteve të kredive dhe të heqjes të penaliteteve, për vonesat, me qëllim që fermerët privat të kenë mundësi për të përballuar këtë vështirësi, ose  nga ana Juaj të merren në shqyrtim, rishikimin e kushteve të kredisë.”- thuhet në letrën e ministrit Panariti.

“Qeveria Shqiptare për përballimin e kësaj situate i ka kërkuar ndihmë edhe vendeve të Bashkimit Europian, me qëllim që të ndihmohen fermerët e dëmtuar, dhe të përballohet situata e krijuar. Pranimi i kësaj kërkese nga ana Juaj, do të jetë i vlerësueshëm nga Qeveria Shqiptare, dhe nga fermerët privat sepse do të ndihmojë në përballimin e këtyre vështirësive. Kjo sjellje gjen mbështetje morale dhe ligjore dhe konkretisht në nenin 481 të K.Civil, i  cili përcakton se “debitori që nuk përmbush detyrimin e kërkueshëm, në afatin e caktuar, quhet se është në vonesë, përveç kur mosekzekutimi është rrjedhim I rrethanave që nuk kanë lidhje me fajin e debitorit….” që në rastin konkret për këto mos-ekzekutime ndikojnë drejtpërsëdrejti pasojat e ardhura nga moti i keq. I njëjti qëndrim mbahet nga legjislatori dhe në nenin 527 të K.Civil, në të cilin përcaktohet se “ Kur pamundësia e ekzekutimit të detyrimit është e përkohshme, debitori nuk është përgjegjës për vonesën e ekzekutimit për kohën që zgjat ajo. Përsa më sipër, duke shprehur mirënjohjen personale ndaj Jush, dhe të Qeverisë Shqiptare, lutemi të merrni në konsideratë këtë kërkesë, me qëllim që dhe Ju të jeni në krahe të atyre faktorëve që do të ndihmojnë drejtpërsëdrejti në përballimin e kësaj situate të vështirë. Njëkohësisht, mirënjohje do të kini edhe nga fermerët private, të cilët do t’a ndjejnë drejtpërsëdrejti këtë ndihmesë.”- përfundon letra e ministrit dërguar bankave.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'