Pas solidaritetit me Tahirin | Debat 24

Pas solidaritetit me Tahirin

By Debat24
In Op-ED
February 11, 2015
0 Comments
1037 Views

Elton MetajNga Elton METAJ

Saimir Tahiri do t’i mbajë mend gjatë orët e 10 shkurtit 2015. Ato shënojnë një moment të rëndësishëm për të, personalisht dhe politikisht. Sigurisht që vartësit do ta kenë patur të vështirë ta zgjonin në orët e para të kësaj “të marte të zezë” për ta njoftuar se një shpërthim kishte dëmtuar farmacinë e familjes së tij. Por ky zgjim tronditës e ka ndihmuar për të ndjekur thuajse “live” dy ngjarje të tjera të rënda, shpërthimin në banesën e një komisari policie dhe gjetjen e një sasie tritoli në një stacion autobuzi në Tiranë. I është dashur të veprojë në të dy planet, si familjar dhe drejtues i një ministrie, dhe për shpatullat e një 36-vjeçari kjo nuk është aspak e lehtë.

Menjëherë në drejtim të ministrit të Brendshëm vërshuan shumë mesazhe solidariteti dhe sigurisht ai më i rëndësishmi, i kryeministrit të vendit, i cilësoi atentatet e 10 shkurtit si një reagim të krimit ndaj punës së policisë. Edhe vetë ministri më i fuqishëm i qeverisë “Rama” premtoi se nuk do të tërhiqet. Por pas emocioneve të forta të orëve të para, opinioni publik është më analizues për atë çfarë ndodhi në një nga ditët më kulmore për botën e krimit.

Mënyra e ndërtimit të tre akteve kriminale dëshiron shumë qartë të japë një mesazh. Shpërthimet, të paktën sipas dinamikës që njohim deri më tani, nuk synonin të shkaktonin viktima, por të paralajmëronin. Vendi i zgjedhur për të vendosur lëndën shpërthyese dhe orari i ndezjes së saj kërkonin që zhurma e tritolit të mbërrinte në veshët e duhur. Sigurisht në veshët e shtetit dhe drejtuesve të tij. Pas kësaj, Saimir Tahiri i pari dhe shumë të tjerë, në krah, mbi apo nën të, kanë mjaft detyrime dhe përgjegjësi.

Së pari, policia, në bashkëpunim me prokurorinë, shërbimin sekret dhe struktura të tjera, duhet të nxitojnë t’i thonë opinionit publik se çfarë ndodhi saktësisht në orët e para të 10 shkurtit. Opinioni duhet të mësojë me urgjencë, për shkak të ndjeshmërisë së lartë dhe një farë paniku të përhapur, dinamikën e plotë të tre ngjarjeve, me tritol të shpërthyer apo të pashpërthyer.

Së dyti, ato që preferojmë t’i quajmë si strukturat ligjzbatuese, duhet t’u vënë këtyre ngjarjeve një emër. Thënë më qartë, duhet të thonë hapur dhe qartë se cili apo cilët janë personat e dyshuar. Opinioni publik pret që takimet polici-prokurori-SHISH të mos prodhojnë vetëm buzëqeshje apo seriozitet titullarësh, por të “zhveshin” atë që sytë e miliona shqiptarëve duan të shohin.

Së fundmi, është krejt e qartë se nga dje, kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënies së krimit me shtetin. Njerëzit e krimit e bënë natën ditë dhe çdo ditë që shteti vonon është një betejë e humbur. Për të reaguar duhen duar të pastra, duar të lira, duar të forta dhe një shtrëngim duarsh mes institucioneve dhe opinionit publik. Nëse këto i kemi, atëherë kemi edhe shpresë më tepër për të fituar luftën me krimin. Kjo është prova e vërtetë e Saimir Tahirit dhe çunave të tij, pasi këtë herë edhe bilanci për të fituar e të humbur bëhet më lehtë.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'