Si gazetarët e huaj ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit dhe porositë e Enverit | Debat 24

Si gazetarët e huaj ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit dhe porositë e Enverit

By Debat24
In Dossier
February 6, 2015
0 Comments
1275 Views

NDODHI TE TRISHTA DHE GAZMORE NE RADIO TIRANEN E JASHTME

Skifter KelliciNga Skifter Këlliçi/”Tirana Observer”

Në këtë vend pëlqehet ende Stalini!…
(1978)
Kështu titullohej dokumentari që në mars të vitit 1978 u shfaq në kanalin italian RAI 2. Ishte me të vërtetë e çuditshme, sepse kanalet e RAI-t si dhe kanalet jugosllave, siç kam përmendur në faqet e këtij vëllimi, ishin mbyllur që më 1973 pas Plenumit të 4-t KQ të PPSH-së që shqiptarët e ngratë të mos infektoheshin nga ideologjia borgjeze që depërtonte nga programet e tyre…
Dhe urdhër për hapjen e tij, ta pret mendja, që ishte dhënë nga Kupola e Kuqe…
Arsyeja, sepse gazetari dhe regjisori i këtij dokumentari kishin premtuar se do të bënin një dokumentar, ku do të vinin në dukje hovin e madh të popullit shqiptar që, edhe pse i izoluar mbijetonte krenarishëm, falë politikës së urtë dhe largpamëse të PPSH-së dhe udhëheqësit të saj të madh, Enver Hoxha…
Megjithatë, sipas orientimit nga lart, autorët e dokumentarit filmuan aty ku atyre u rekomandua nga shoqëruesit, tepër syçeltësorë, qoftë edhe për ndonjë veprim tendencioz të teledokumentaristëve të përtej detit, për të xhiruar “pamje jo të denja për Shqipërinë e re”, të cilët, në fund të fundit vinin nga një vend kapitalist.
Filmuan në qytete fabrika në Universitetin e Tiranës, në plazhin e Durrësit, një dasmë…
Filmuan edhe në një familje punëtore. Por këtu puna u bë me spec… sepse, njoftuan se do t’i bënin pyetje pjesëtarëve të kësaj familjeje edhe për çështje… ekonomike.
Për fat të mirë në këtë familje kishte televizor, por nuk kishte makinë rrobalarëse. Kishte mungesa edhe në orendi. Sollën fët e fët një rrobalarëse dhe ca orendi nga fqinji përballë apartamentit të tyre. Madje ai u dha edhe një poçe të bukur prej bronzi, që stoliste një komodinë në kuzhinë.
Erdhën dokumentaristët italianë, u pritën me bukë e kripë e zemër të bardhë dhe filluan pyetjet e intervistës. Kryefamiljari punëtor nuk dinte gjuhën e tyre, por atyre kjo nuk u bëri përshtypje, sepse kishin parë që shumë shqiptarë që kishin hasur, sidomos të rinj, e flitnin atë ujë.
Për çdo të papritur kryefamiljari ishte përgatitur se ç’përgjigje do t’u jepte atyre. Kështu që kur u pyet se sa para i ishte dashur familjes së tij për të blerë televizorin, ai hazërxhevap ia ktheu se i ishte dashur vetëm një rrogë, kur në fakt për një familje punëtore ku punonin burrë e grua, me mesatarisht nga 5500 lekë të vjetra rrogë në muaj, duke shtrënguar fort rripin deri në vrimën e fundit, duheshin kursyer plot 45 mijë lekë, për të blerë kështu atë shkretë televizor, pra duheshin shumë muaj.
Gjithçka dukej se po shkonte vaj…Por befas në dhomë u fut djali 20- vjeçar i familjes që kishte qenë në ekskursion me shokët e universitetit dhe nuk dinte se kishin ardhur miq kaq të rrallë.
Ndodhi kështu ajo që nuk pritej.
Kur gazetari e pyeti babanë e tij sa para i ishin dashur për të blerë rrobalarësen, djali që merrte vesh nga italishtja, për të ndihmuar të atin se mos rrëshqiste në ndonjë dërrasë të kalbur, i ftilloi gazetarit se duheshin nga dy rroga të babait dhe nënës, i bindur kështu se kësisoj po e nxirrte atë nga sikleti.
Por merret me mend se mbeti i trallisur kur gazetari i shpjegoi se si ishte e mundur që në Shqipëri rrobalarësja kushtonte më shumë se një televizor, kur në Itali ndodhte ndryshe…
Përkthyesi dhe babai u ndodhën ngushtë, sidomos ky i fundit dhe mallkoi me vete që djali nuk e kishte sjellë kokën ca më vonë, kur të kishin thyer qafën këta italianët, të cilët e kishin sëkëlldisur me pyetjet e tyre, se kështu nuk do të kishte futur hundët e të jepte atyre atë përgjigje që i nxirrte të palarat për çmimin e gënjeshtërt të televizorit.
Nuk mjaftoi kjo, por operatori zuri të filmonte atë poçen e bronztë, kujtim i familjes fqinje, të cilën pastaj gazetari e mori dhe zuri ta sodiste me kureshtje…
Atëherë, për të zbutur kështu situatën disi të nderë nga gënjeshtra pa dashkëza që i kishte shpëtuar djalit të shtëpisë, përkthyesi i tha atij me zë të ulët se atë poçe, vërtet të bukur, por që si e ndryshkur siç ishte, atij iu duk pa ndonjë vlerë, do të ishte mirë që t’ia dhuronte gazetarit italian.
I ndodhur në gazep të zotit ngaqë edhe poçja, si rrobalarësja nuk ishte e tij, i zoti i shtëpisë tundi kokën dhe veçse kur përkthyesi e mori atë në duar dhe ia zgjati gazetarit.
Merret me mend habia dhe e gazmendi i këtij të fundit për këtë blatim kaq të vyer!…
Kuptohet se në ç’hall u vu prapë i zoti i shtëpisë, kur grupi televiziv italian u largua nga shtëpia dhe kur mendoi se ç’përgjigje do t’i jepte fqinjit për poçen e vjetër, që brez pas brezi e kishte trashëguar nga paraardhësit e familjes së tij…
Por të kthehemi te ajo që është më e rëndësishmja,te shfaqja e dokumentarit. Titulli i që i kishte vënë autori atij, ishte pra: “Në këtë vend pëlqehet ende Stalini”.
Çuditërisht, thuajse të tëra mjediset në natyrë ishin filmuar me dritë të mekur dielli; po ashtu dasma fshatare dhe mjediset në plazhin e Durrësit, ku kishte edhe pamje të rëndomta.
Por, siç dukej, rëndësi për udhëheqësit tanë kuqalashë kishte se dokumentari fillonte me pamjen e shtatores së madhe të Stalinit në sheshin e qytetit që mbante emrin e tij, pra në Kuçovë, dhe mbaronte me intervistën e një veterani komunist para shtatores tjetër të madhe të tij, në hyrje të Galerisë së Arteve Figurative në Tiranë, ku ky veteran tregonte se populli shqiptar respektonte dhe adhuronte Stalinin, veprën e të cilit e vazhdonte Partia e Punës dhe themeluesi i saj, Enver Hoxha, udhëheqësi i madh i Shqipërisë dhe i proletariatit botëror.
Kaluan ca ditë dhe nën zë mora vesh se atyre që kishin shoqëruar grupin italian, u ishte tërhequr vëmendja se kishin lejuar që operatori të filmonte pamjet e filmit në ditë si me qiell të ngrysur, për të cilat shoqëruesi u ishte përgjigjur se të tilla kishin qenë ato atëherë, pra me diell të kursyer.
Por, nga ana tjetër,pavarësisht nga kjo e metë që nuk ishte e rastit, por e menduar mirë nga autori i skenarit, që filmi të kishte ngjyra të vrenjtura, pra, siç ishte e tillë dhe vetë Shqipëria, andej nga lart dokumentari ishte vlerësuar, sepse kishte vënë në dukje se në vendin tonë, pëlqehej ende Stalini dhe se një Stalin i dytë, pra një diktator si ai, vazhdonte ta udhëhiqte Shqipërinë…

****

Peter Paul Lendvai dhe dokumentari i tij për Shqipërinë
(1981)
Më 31 maj të viti 1981, zbarkoi në aeroportin e Rinasit, Peter Paul Lendvai, shef i sektorit të Evropës Lindore në Televizionin e Publik të Autrisë. Dhe pas tij një goxha trupë televizive…Sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Jashtme të RTVSH-së dhe, doemos, të miratuar nga Komiteti Qendror, ai do të realizonte dokumentarin me titull “Rruga e luftës së popullit shqiptar për pavarësi, deri në epokën e Enver Hoxhës”.
S’ke ç’thua, titull me të vërtet bubullimtar!…Për më tepër, premtues për një film që do të përhimnonte edhe figurën e udhëheqësit tonë legjendar…
Mirëpo andej nga Kupola e Kuqe disave çoç u digjte kur sillej ndërmend titulli i dokumentarit italian “Në këtë vend pëlqehet ende Stalini”, pra, të nderuar teleshikues, këtyre shqiptarëve u digjka zemra për një diktator…si dhe ato pamjet thuajse pa diell të Shqipërisë socialiste që rrezitej nga dielli i Partisë. Ndaj syçeltësia e shoqëruesve kundrejt gazetari me kaq emër, u bë edhe më e madhe. Dhe doli se ata kishin pasur të drejtë. Kjo dëshmohet edhe nga relacioni që shoqëruesit e Lendvait përpiluan pas largimit të tij nga Shqipëria, doemos duke pasur me vete filmimet që kishin bërë lart e poshtë vendit tonë.
Nga mënyra si është shkruar ky relacion, kuptohet se Lendvai ua kishte sjellë syçeltësorëve të shkretë shoqërues shpirtin në majë të hundës.
“Ai interesohej për gjëra që i bënin përshtypje dhe që nuk i ndeshte në vendin e tij,” -thuhet në relacion, (Dosja 89, Fondi i RTVSH-së, faqe 11-16, Arkivi i Shtetit).
Shoqëruesit i bënin sytë që ai të mos filmonte pamje që s’do mend tregonin ashiqare se ç’fshihej pas fasadës së Shqipërisë së lumtur socialiste. “Ai ishte i prirë për të verifikuar ç’do gjë që dëgjonte,-vazhdon relacioni. – Kështu në një dyqan ushqimor, në një dyqan të shitjes së bukës, te një këpucar e një rrobaqepës në Kavajë, pyeti për të verifikuar rrogat e punonjësve, për të parë nëse kishte dyqane private”.
Andej nga lart u bë zallamahi!.. U dha urdhër që Lendvai të ndiqej këmba-këmbës me marifet dhe të dërgohej të filmonte atje ku kishte të paktën pamje që nuk ishin të ukubetshme.
Ndaj zunë ta ruanin edhe pasi shkonte të flinte në hotel “Dajti”; edhe atëherë dikush ulej në një kolltuk të hollit dhe bënte sikur lexonte. Dhe shërbyesit e natës në hotel e dinin se ç’punë bënte ky vizitor…
Mirëpo për çudi, të nesërmen Lendvai u tha shoqëruesve se që me sabah, pa gdhirë mirë, kishte parë dhe filmuar karroca me dy rrota makinash, njëra e prirë nga një kalë dhe tjetra nga një gomar dhe i kushte fotografuar.
“S’më kishte zënë syri pamje të tilla, –u thoshte shoqëruesve duke qeshur. –Por do t’i vë vetëm në albumin tim…”
Merret me mend se ç‘pësoi ai sigurimsi që ishte ngarkuar ta ruante këtë zevzek gazetar kudo që ai të shkonte. Mirëpo Lendvai kishte arritur të dilte nga hotel “Dajti”, kur sigurimsi kishte shkuar në… banjo, që të bënte ujët e trashë, se ndryshe, po të qëndronte dhe më gjatë aty, do të qelbte hollin dhe do të shtrëngohej të dilte jashtë, pa ditur se ku të rrasej.
Siç theksohet më poshtë në relacion dilte se Lendvai na paskësh qenë hungarez, me nënshtetësi austriake, korrespondent i gazetave “Fainajshënëll Tajms”, në Londër, ”Distal” në Zyrih, ”Der Monat” në Berlin, se vizitonte herë pas herë vendet ballkanike, se kishte shkruar edhe libra për Greqinë dhe Egjiptin…
Sipas këtij relacioni ai pra ishte një agjent i rrahur me vaj dhe me uthull, kur në fakt ishte gazetar që donte të tregonte me vërtetësi punën e tij edhe me kamera, pra të dëshmonte pamje të njëmendta të një vendi duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, ashtu siç ishte. Duke përfshirë këtu edhe karrocat me rrota gome makinash,të tërhequra me kuaj edhe…gomerë.

****
Erik Peshleri që hedh poshtë dokumentarët tanë për Shqipërinë
(1983)
Pas prishjes me Kinën, më 1978 dhe sidomos pas vrasjes ose vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu dhe qërimit të llogarive të Enver Hoxhës me ata të cilët i quante si bashkëpunëtorë të një komploti të madh të tij për përmbysjen e sistemit socialist që po ndërtohej vetëm në Shqipëri, interesimi i botës për këtë vend të vogël, që nuk ishte tashmë as me Lindjen e Mao Ce Dunit, dhe ajo që jo me Perëndimin, u bë edhe më i madh.
Ndaj, siç e pamë, u shtua edhe dëshira që gazetarë, sidomos televizivë, të vinin e njihnin më afër këtë vend. Por, në të njëjtën kohë, edhe më e madhe u bë syçeltësia e Enver Hoxhës që para se të vinin e të njiheshin me sukseset e mahnitshme të Shqipërisë që udhëhiqej prej tij, këta gazetarë, sidomos televizivë të kalonin në vrimë të gjilpërës. Dhe jo vetëm kaq. Por që t’i rrëfehej botës borgjezo-revizioniste se ç’mrekullira bëheshin në këtë “kopsht të lulëzuar si në përrallat e një mijë e një netëve”, Kinostudioja ”Shqipëria e Re” dhe TVSH-ja të përgatitnin edhe më shumë dokumentarë të posaçëm për këtë qëllim.
Dhe kështu u bë. Kishte televizione të huaja që i blinin këta dokumentarë të stisur dhe të neveritshëm, por ama, kishte dhe të tilla që jo më nuk i blinin, por as që merrnin mundimin t’i shihnin. Ndaj gazetarë televizivë, që ashtu si Lendvai dhe Peshleri donin të vinin në vendin tonë dhe të bindeshin për “mrekullitë shqiptare”, lejoheshin të vizitonin Shqipërinë, por, ama, të filmonin aty ku ua kishte qejfi udhëheqësve tanë komunistë.
Kësisoj, nga data 4-13 tetor të vitit 1983, enkas për të përgatitur një dokumentar për Shqipërinë, ia behu gazetari televiziv Erik Peshler, përgjegjës i sektorit për marrëdhëniet me vende të Evropës Lindore dhe kryesisht të Ballkanit në Televizionin zviceran.
Por ai, ndryshe nga Lendvai, u ra druve shkurt. Më të arritur në Shqipëri, bëri ca deklarata të tharta që i la gojëhapur gjerarkët komunistë.
Siç dëshmohet edhe nga relacionet e ruajtura në Arkivin e Shtetit dhe të përpiluara nga shoqëruesit e tij, ai tha se gjatë vizitave në Bashkimin Sovjetik, Bullgari, Rumani, Poloni, Çekosllovaki dhe Jugosllavi, ku kishte qenë, kishte venë re prirjen për të paraqitur vetëm një anë të medaljes, jo atë që ishte, por atë që duhej të ishte…
Kur ra fjala për filmat dokumentarë të prodhuar nga shqiptarët, ai u shpreh troç: ”Ju keni i materialet propagandistike që nuk shkojnë në auditorin tonë. Për ne do të ishte me interes të dërgonim te ju një grup xhirimi”.
Më poshtë në relacionin e përgatitur nga shoqëruesit e Peshlerit, theksohet: ”…Ai ishte i prirë për të kapur anët negative të jetës sonë… E shikonte me dyshim lirinë e personit dhe demokracinë tonë socialiste”.
Kur atë e shoqëruan nëpër Tiranë dhe qytete të tjera, Peshleri u shpreh me dyshim: “Te ju ka shumë policë dhe ushtarë të armatosur…Nuk më lanë të kaloja në trotuarin e KQ të Partisë. Keni frikë nga populli? Këtë gjë e kam parë edhe në Rumani”.(Dosja 38, Fondi i RTVSH-së, Arkivi i Shtetit).
Ishte hera e parë që një gazetar i një televizioni të huaj ndante pa dorashka shapin nga sheqeri, ndaj ky relacion i tromaksi udhëheqësit komunistë.
Ta pret mendja që Peshlerit nuk iu dha më vizë që të vinte në Shqipëri. Fjalë e tij të fundit: ”Keni frikë nga populli?…Këtë e kam parë edhe në Rumani”,- ishin një paralajmërim i llahtarshëm, sepse, njëmend, pa kaluar mirë 7 vjet, në nëntor të vitit 1989 u ngrit populli në Rumani dhe i këputi kokën Çausheskut me të shoqen bashkë.
Pak a shumë kjo ndodhi në shkurt të vitit 1991 edhe në Shqipëri. Por, meqë diktatori Enver Hoxha, kishte vite që kishte ngritur patkonjtë nga dielli, kudo u përmbysën përmendoret e tij e bashkë me to, edhe regjimi gati 40-vjeçar komunist.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'