Vdes në çerdhe djali 14-muajsh i oficerit të Policisë Gjyqësore | Debat 24

Vdes në çerdhe djali 14-muajsh i oficerit të Policisë Gjyqësore

By Debat24
In Aktualitet
February 28, 2015
0 Comments
768 Views

Cerdhe17Një vogëlush 14 muajsh ndërroi jetë teksa flinte në çerdhen shtetërore nr.17 në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të së premtes në çerdhen shtetërore nr.17, që ndodhet në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, në afërsi të “21 Dhjetorit” kur djali i vetëm i oficerit të Policisë Gjyqësore, Ardian Prendi, u gjet pa shenja jete nga edukatoret. Këto të fundit së bashku me drejtoreshën e çerdhes e dërguan fëmijën menjëherë në urgjencën e Pediatrisë në spitalin “Nënë Tereza”, ku mjekët e futën në reanimacion dhe bënë të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar. Mjekët thanë se ndërhyrja e tyre ka qenë e kotë pasi foshnja me iniciale S. Prendi kishte gjetur vdekjen. Trupi i pajetë i tij u dërgua në morg për ekzaminimet e mëtejshme. Rreth gjashtë orë pas ngjarjes, ekspertët e mjekësisë-ligjore bënë të ditur se foshnja ka ndërruar jetë nga nga temperatura e lartë pasi po kalonte një gjendje gripale.

Ngjarja
Në orën 08:00 të mëngjesit të djeshëm, fëmija 14 muajsh S. Prendi u dërgua nga prindërit e tij në çerdhen shtetërore nr.17, në Tiranë. “Sipas kontrollit të parë në mëngjes, fëmija u pranua në çerdhe i shëndetshëm. Rreth orës 10:00 është kryer filtri i dytë dhe përsëri gjendja e tij shëndetësore është konstatuar e mirë. Në drekë pasi është ushqyer, fëmija është vënë në gjumë nga edukatoret. Në kontrollin e tretë, kur fëmija ishte vënë në gjumë, edukatoret kanë konstatuar se fytyra e tij ishte e zbehtë dhe trupi i ftohtë. Stafi dhe drejtoresha e çerdhes e transportuan me urgjencë në Pediatri. Mjekët e futën djalin në reanimacion dhe kryen të gjitha tentativat për ta shpëtuar, por gjithçka ka përfunduar fatalisht, pasi foshnja ndërroi jetë” u shpreh Pëllum Seferi, Drejtori i Çerdheve në Tiranë. Ai tha se ishte vënë në dijeni menjëherë për ngjarjen dhe mbërriti në spital. Më pas qëndroi në morg për të mësuar rreth shkaqeve që çuan në vdekjen e fëmijës teksa ndodhej në çerdhe. Ndërkohë që për ngjarjen u njoftuan edhe prindërit të cilët mbërritën në morg, ndërsa policia shoqëroi stafin e çerdhes së bashku me drejtoreshën. Ato u shoqëruan me makinë policie nga spitali drejt ambienteve të Komisariatit nr.2, ku dhe u morën në pyetje. Edukatoret dhe drejtoresha e çerdhes janë marrë në pyetje për disa orë nga oficerët e policisë në prani të prokurorit të çështjes. “Kam qëndruar disa orë jashtë ambienteve të Komisariatit në pritje të lirimit të stafit të çerdhes. I kam kërkuar drejtuesve të policisë që të lirojnë edukatoret pasi rezulton se nuk janë përgjegjëse për këtë ngjarje. Fëmija ka pasur kujdesin maksimal të edukatoreve. Sipas mjekëve vdekja është shkaktuar nga shkaqet natyrale” u shpreh më tej për “Shekullin” kreu i çerdheve në Tiranë, Pëllumb Seferi.

Autopsia
Mjekët e urgjencës së Pediatrisë në spitalin “Nënë Tereza” shpallën të vdekur fëmijën 14 muajsh S. Prendi, rreth orës 15:40, ndërsa trupi i pajetë u dërgua në morg për kryerjen e autopsisë. Në ambientet e jashtme të morgut u mblodhën familjarë dhe të afërm të foshnjës në pritje ekspertizës së mjekësisë-ligjore. Rreth gjashtë orë pas ngjarjes, mjekësia ligjore doli me një rezultat paraprak për shkaqet e vdekjes së fëmijës 14 muajsh. “Rrugët e frymëmarrjes së fëmijës rezultuan të pastra, duke përjashtuar kështu mundësinë që fëmija të jetë mbytur, gjithashtu përjashtohet edhe helmimi si shkak i vdekjes” thanë burime nga morgu. Një analizë e deritanishme çon në mundësinë që fëmija të ketë humbur jetën nga temperatura e lartë. Mjekët që kryen autopsinë dyshojnë se fëmija ka pasur temperaturë të lartë për disa orë duke gjetur kështu vdekjen. “Nga ekzaminimet e para rezulton se foshnja po kalonte një gjendje gripale dhe për pasojë ka pasur temperaturë të lartë. Mendohet se gjatë kohës që ndodhej në gjumë temperatura është rritur dhe atij nuk i është dhënë asnjë ilaç për të bërë të mundur uljen e temperaturës. Për pasojë foshnja gjeti vdekjen” thanë për gazetën burimet policore. Megjithatë, mjekësia ligjore do të dalë me një version të saktë për shkaqet e vdekjes së fëmijës pas rreth dy javësh, kohë e cila nevojitet për daljen e përgjigjeve të analizave. Mësohet se tashmë do të analizohen edhe kampionët e gjakut të fëmijës, gjithashtu do të bëhen edhe ekzaminime bakteriologjike për të kuptuar shkakun e vdekjes. Paralelisht është marrë edhe një kampion ushqimi që është gjetur në stomakun e foshnjës. Çifti Prendi deklaroi se djali i tyre nuk vuante nga ndonjë sëmundje, ndërsa në orët e mbrëmjes janë njohur me rezultatet paraprake të autopsisë.

“Shekulli”

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'