Meta: Tom Doshi pengoi hetimin e ngjarjes, ka qëllim destabilizimin | Debat 24

Meta: Tom Doshi pengoi hetimin e ngjarjes, ka qëllim destabilizimin

By Debat24
In Headline News
March 3, 2015
0 Comments
1207 Views

Ilir MetaKryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij nga deputeti Tom Doshi, se ai ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi. Në një prononcim për mediat, kreu i Kuvendit i bëri thirrje prokurorisë të hetojë dhe zbardhë të gjithë këtë ngjarje, që sipas tij ka muaj që ka nisur. Meta akuzoi deputetin socialist Doshi se i ndërron versionet e atentateve sipas interesave të tij. Sipas Metës, në fillim Doshi ka thënë se porositësi dhe paguesi kryesor për vrasjen e tij ishte Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Jam habitur nga akuzat e djeshme të deputetit Doshi pas përjashtimit të tij nga grupit parlamentar i PS-së, vendim që e përshëndes plotësisht. Sipas vlerësimit tim, ky është një vendim për të ndarë politikën nga shantazhi dhe për t’i dhënë fund praktikave të presionit ndaj qeverisë. Merreni me qetësi. Lidhur me versionin e djeshëm, nuk habitem për të sidomos pas vendimit të grupit parlamentar. Pjesën misterioze e kam konsumuar prej muajsh, pra shqetësimin e deputetit në fjalë, se ndaj tij po përgatitej një atentat ku porositësi kryesor është kunati i ish-kryeministrit Berisha, i cili do të paguante 500 mijë euro me qëllim destabizilim të vendit dhe për të përfshirë në këtë rast kryetarin e Kuvendit”, tha Meta.
Më tej Meta tha se është takuar me ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin, Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, takime që janë bërë në praninë e kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. “Unë jam takuar me ministrin e Brendshëm dhe Prokurorin e Përgjithshëm, takime këto në praninë e zotit Braho, kreut të Komiosionit të Sigurisë. U kam kërkuar marrjen e masave dhe zbardhjen e të gjithë kësaj ngjarjeje”, tha Meta.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim zbuloi edhe një detaj që nuk dihej deri më tani, duke thënë se vetë i kërcënuari, Tom Doshi, ishte penguar qëllimisht hetimin e ngjarjes. “Në dijeninë time, deri dje i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështje ka qenë deputeti Tom Doshi. Qëndrimi im deri tani ka qenë në përputhje me ligjin. Ai ka ndërruar versionet e atentateve ndaj tij sipas interesave të tij. Nuk e di se cili ka qenë interesi i tij, unë di versionin që dinë shumë të tjerë. Inkurajoj prokurorinë të zbardhen të gjitha të vërtetat…Por, e përsëris, deputeti Doshi e ka penguar të gjithë këtë proces”, tha Meta.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'