Tahiri: Pretendimet e Doshit janë të pavërteta, ja datat e takimeve | Debat 24

Tahiri: Pretendimet e Doshit janë të pavërteta, ja datat e takimeve

By Debat24
In Aktualitet
March 4, 2015
0 Comments
1039 Views

Saimir Tahiri1Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dalë në një konferencë për shtyp për të dhënë hollësi për hetimin e deritanishëm për akuzat e deputetit Tom Doshi, pretendimeve të tij lidhur me një komplot të mundshëm, me porosi të kryeparlamentarit Ilir Meta dhe së fundmi edhe dëshmive të Durim Banit, i cili tha para prokurorëve se historia është e sajuar me kërkesë të deputetit Doshi.

Fjala e plotë e ministrit Tahiri

“Jam këtu për t’i dhënë fund, përmes një ekspozeje saktësisht të verifikueshme, spekullimeve të panumërta lidhur me pjesën e akuzës së deputetit Tom Doshi që përfshin mua si Ministër i Brendshëm dhe rolin e Policisë së Shtetit qysh prej ditës kur kam marrë dijeni nga vetë deputeti për pretendimin e tij. Prita ditën e sotme për të shmagur humbjen e ekspozesë sime në tymnajën dhe zhurmën e politizimit ekstrem që Partia Demokratike po i bën një pretendimi të kthyer në akuzë bombastike, e cila në këndvështrimin e dikasterit që unë drejtoj, ka qenë e sqaruar ashtu siç i është komunikuar prej kohësh deputetit akuzues.

Kronologjia
Në dt 6 Shtator 2014, me kërkesë të Kryeministrit, jam takuar dhe kam dëgjuar deputetin Tom Doshi. Takimi është zhvilluar në Durrës, në mjediset e zonës rezidenciale. Gjatë takimit që ka zgjatur rreth 30 min, Z. Doshi më rrëfeu se kishte zbuluar një komplot për vrasjen e tij, dhe kishte identifikuar porositësit dhe ekzekutorët e krimit të pretenduar.
Tom Doshi gjithashtu më tha se vrasësin e pretenduar, e kishte në ato momente në shtëpinë e tij në plazhin e Durrësit dhe më kërkoi ta takoja. Gjatë atij takimi, Tom Doshi, deklaroi se personi që kishte marrë përsipër ekzekutimin e tij, ishte një shtetas nga Fushë-Kruja, i cili kishte marrë porosi nga një shtetas tjetër me emrin Fatjon Skënderi, ish shofer i Kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Tom Doshi deklaroi po në atë takim se në dt 1 Shtator 2014 (pra 5 ditë përpara takimit me mua), këtij shtetasi (pra Fatjon Skënderit) i ishte bërë atentat për ta vrarë, në hyrje të autostradës Tiranë Durrës, ngjarje pa pasoja por për të cilën Policia e Shtetit kishte filluar hetimet që në momentin kur u bë me dije.
Gjithnjë sipas tij, Tom Doshi më tregoi gjithashtu se në rrugë private kishte zbuluar qe në mjediset e lokal Viva në zonën e Bllokut në Tiranë, ish Shoferi i Fatmir Mediut së bashku me Agron Kulicin, ish nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agim Ramën, kunat i ish Kryeministrit Berisha, Eugen Beci, Drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda, shtetasin Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli (Xhaxhollari), pronari i lokalit, kishte organizuar vrasjen e Tom Doshi.
Z. Tom Doshi këmbënguli po ashtu se edhe vetë Prokrurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte i përfshirë në këtë komplot,  (nëpërmjet Eugen Becit) sepse sipas Z. Doshi, të dhënat që deputeti i kishte dhënë konfidencialisht pak kohë më parë Z. Llalla, i kishin marrë vesh po këta persona, pra organmizatorët që sipas Z. Doshi kishin organizuar vrasjen, dhe këto i kishin marrë vesh nëpërmjet vetë Prokurorit të Përgjithshëm. Pra sipas deputetit Tom Doshi, vetë Prokurori i Përgjithshëm kishte treguar te organizatorët, porositësit dhe vrasësit, se Z. Doshi kishte zbuluar komplotin e tyre ndaj jetës së deputetit.
Në përmbledhje të fakteve paraprake, Tom Doshi mu shpreh thellësisht i bindur se vrasjen e tij, ky grup kriminal ku sipas tij ishin të përfshirë nga Agim Rama e Agron Kuliçi tek shoferi i Fatmir Mediut dhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beciu, e kërkonte për llogari të  Sali Berishës, i cili, gjithënjë sipas Z. Doshi, ishte betuar të hakmerrej për humbjen e rëndë në Shkodër. Tom Doshi ishte po ashtu i bindur se përmes Agron Kuliçit, organizatorët e vrasjes kishin siguruar mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Sikundër ia kam shprehur kryeministrit fill pas takimit, më është dukur skenar shumë i dyshimtë. I kam thënë kryeministrit se sipas meje nuk më dukej gjëkundi si organizim real i një vrasjeje, por mbetej dhe më mbetet ende sot e paqartë arsyeja e vënies në lëvizje të këtij skenari çoroditës nga ky miks individësh. Por theksoj se, në prani të Kryeministrit dhe të deputetit, kam parashtruar mendimin se e vetmja mënyrë për ta ndjekur këtë çështje, ishte denoncimi në rrugë ligjore i çështjes nga ana e Tom Doshit. Tom Doshi ishte absolutisht kundër.
Ai këmbënguli deri në fund se përderisa në komplotin për vrasjen e tij, ai kishte zbuluar si pjesë aktive në komplot drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci dhe si mbështetës të komplotit Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Lllalla, ishte e pamundur të ecej në rrugë ligjore pa rrëzuar më parë Prokurorin e Përgjithshëm përmes parlamentit. Me gjithë këmbënguljen e deputetit, si unë dhe si kryeministri në fund të bisedës, i kemi thënë Tom Doshit se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta adresuar pretendimin e tij përveç rrugës ligjore, dhe kam theksuar se çdo vonesë në kohë, do t’i vështirësonte veprimet hetimore.
Në fund, deputeti Tom Doshi kërkoi që të takoja personin që sipas tij ishte vrasësi i porositur dhe i penduar, për ta nxitur të bashkëpunojë me policinë dhe për t’i dhënë besim duke i treguar mekanizmin mbrojtës që përdor shteti ndaj të penduarve që pranojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë. Jam takuar pas pak, së bashku me Tom Doshin me një zotëri, që sipas Tomës, ishte vrasësi i penduar. Zotëria, që m’u prezantua si “Duri nga Fushë Kruja”, nuk foli vetë, por kryesisht pohonte me kokë dhe mërmërima deklaratat e deputetit, sipas të cilave, ai kishte marrë një porosi për të vrarë deputetin por këtë porosi i’a kishte rrëfyer vetë deputetit duke mos e kryer vrasjen. Aty për aty i kërkova Tom Doshit, të paraqitej menjëherë bashkë me zotërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për të marrë zyrtarisht kallzimin e këtij të fundit, pas të cilit do të mund të fillonim menjëherë hetimet penale.
Duke kuptuar refuzimin tim për t’u përfshirë me këtë çështje në rrugë të tjera përveç rrugës ligjore, Toma pranoi më në fund të paraqitej me zotërinë, por jo në Drejtorinë e Policisë, po vetëm në zyrën e Ministrit, dhe fillimisht pa prezencën e oficerëve të Policisë së Shtetit që duhet të merrnin deponimin ose kallzimin zyrtar për të filluar hetimin penal për këtë çështje. Por as ky takim që unë e pranova për ta futur çështjen në rrugë ligjore, nuk u zhvillua për refuzim të vetë Tom Doshi dhe sipas tij, për shkak se personi i prezantuar si vrasës kishte mosbesim. Ndërkohë me të arritur në Tiranë, kam thirrur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit më të lartë të saj, për të filluar veprimet paraprake hetimore, pavarësisht refuzimit të deputetit për bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese.

Më pas kam marrë takim me Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, dhe pas tyre, me Prokurorin e Përgjithshëm. Ky i fundit ishte në dijeni të deklarimeve të Tom Doshit, pas një takimi të mëparshëm ndërmjet të dyve. E informova për gjithcka u vura në dijeni nga deputeti, si dhe për pretendimin e këtij të fundit për të mos filluar hetim penal sepse vetë Prokurori i Përgjithshëm dhe Prokurori i Krimeve të rënda, ishin të përfshirë në këtë ngjarje. Prokurori i Përgjithshëm, i cili siç e thashë kishte marrë dijeni më parë nga vetë Tom Doshi, u shpreh shumë i gatshëm për ta hetuar penalisht këtë çështje në rast se do të kishim një deponim apo kallzim ose edhe në rast se, nga mbledhja me iniciativë e të dhënave paraprake nga Policia e Shtetit, do të rezultonte ndonjë e dhënë me vlerë për të nisur një procedim penal. Pas bisedës me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam rithirrur dhe nxitur përsëri deputetin Tom Doshi për të paraqitur kallzim dhe të dhëna shtesë, ose deponim nga shtetasi i lartpërmenduar, duke e siguruar edhe njëherë deputetin se ishim të gatshëm t’i ofrojmë shtetasit statusin e dëshmitarit të mbrojtur me të gjitha garancitë që ligji parasheh për këtë status.

Por përsëri dhe vazhdimisht më tutje nga Tom Doshi kam marrë refuzim për ta kanalizuar shqetësimin e tij në rrugë ligjore. Dua të nënvizoj këtu se gjithësesi, që nga momenti që jam vënë në dijeni, Policia e Shtetit i ka konsideruar me kujdesin maksimal pretendimet e deputetit – pavarësisht se nuk dispononim asnjë të dhënë, asnjë fakt dhe asnjë provë, dhe për më tepër asnjë kallzim apo deponim. Në këtë kuadër, si dhe duke pasur në konsideratë hetimin për çështjen penale të ndodhur në 1 shtator ndaj shtetasit Fatjon Skënderi, i deklaruar nga Tom Doshi si ndërmjetës i grupit organizator dhe vrasësit të penduar, është bërë shoqërimi i shtetasit Fatjon Skënderi – jo një herë por disa here.

Eshtë marrë në pyetje, i është bërë kontroll në dy banesat e tij si dhe janë sekuestruar  pamjet filmike në mjediset e njërës prej shtëpive të tij. I është kqyrur po ashtu automjeti dhe të gjitha sendet personale, si dhe janë kryer një seri veprimesh të tjera hetimore në kuadrin e  zbardhjes së ngjarjes së ndodhur në dt 1 Shtator, duke parë me imtësi çdo detaj e rrethanë edhe nën dritën e pretendimeve të deputetit Tom Doshi.

Janë marrë deklarime nga Z. Skënderi dhe nga Z. Ylli Xhaxhollari, si edhe janë pyetur shtetasit Xhoni Skënderi, Rezart Skënderi, Eraldo Myfati dhe Arben Manaj, të cilët nuk kanë dhënë asnjë fakt apo të dhënë me vlerë për hetimet. Në kuadër të po këtij hetimi penal, tashmë i lidhur edhe me pretendimet e Tom Doshit, është bërë shoqërimi i shtetasit Durim Bami, si shtetas që kishte dijeni dhe mund të zbardhte rrethana të caktuara lidhur me ngjarjen e datës 1 shtator, e cila për policinë shërbente njëkohësisht për të hulumtuar versionin e servirur nga deputeti. Gjithashtu, së bashku me vendimin e prokurorit, janë kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore, vëzhgim, përgjim, mbledhje të dhënash dhe kqyrje materialesh filmike të kamerave të ndryshme të sekuestruara, nga të cilat nuk është mbledhur dot asnjë e dhënë me vlerë për të zbardhur pretendimin e Tom Doshit.

Disa ditë më pas, në një takim të dytë me Tom Doshin, ai më deklaroi se vetë vrasësi i kishte deklaruar se një tentativë konkrete për ta vrarë, ishte konsumuar dhe ishte dështuar nga vetë ata që ishin paguar për ta vrarë. Sipas asaj që vrasësi i paguar i deputetit i kishte thënë atij dhe pastaj Tom Doshi ma deklaroi mua, rreth dt 21 qershor, Tomës i kishin vendosur eksploziv në afërsi të makinës së vet. Eksplozivi ishte vendosur në një motocikletë për transport picash dhe do të shpërthente kur Tom Doshi të shkonte tek makina. Faktikisht Tom Doshi më ka deklaruar në dy here të ndryshme, dy arsye të ndryshme mbi motivet përse ky akt terrorist i përgatitur ndaj tij, nuk ishte kryer. Një herë sepse sipas tij vrasësit ishin bërë pishman, dhe një herë tjetër sepse vetë Toma nuk kishte dashur të hipte në makinë por kishte ecur në këmbë. Në këtë kuadër, dhe në ecurinë e hetimeve për një tjetër ngjarje, Policia e Shtetit ka sekuestruar menjëherë pamjet filmike të një banke ekzaktësisht në venddodhjen e deklaruar nga Tom Doshi, duke marrrë dhe parë pamjet filmike nga dt 19 deri 26 qershor 2014 – pra brenda spektrit të kohor të datës 21 qershor që u tregua si dita kur do të kryhej vrasja.

Nga pamjet filmike nuk rezulton të jetë e vërtetë, pra të ketë ndodhur, asgjë nga ato që deklaron Tom Doshi. Asnjë prej pretendimeve, nuk rezultoi të bazohej në faktet e mbledhura nga Policia, motorri përfshirë. Ju informoj se të dhënat që përmenda më sipër dhe veprimet hetimore të kryera nga policia janë të dokumentuara dhe të administruara në fashikujt përkatës hetimor.

Më pas, saktësisht në dt. 14 Shtator, Tom Doshi kërkon të sjellë tek unë dëshmitarin e tij, pra vrasësin e pretenduar, por duke këmbëngulur në kushtet e mëparshme. Jo në polici, jo me oficerë të policisë, por vetëm në Zyrën e Ministrit të Brendshëm. E kam pritur së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm, Z. Didi, me Drejtorin e Krimeve të Rënda dhe me Drejtorin e Tiranës. Tom Doshi ka refuzuar të zhvillojë takimin me këta persona dhe këmbëngulur që vetëm të dëgjohet versioni i vrasësit të pretenduar, pa kryer asnjë veprim procedurial. Kam marrë edhe Drejtorin e Përgjithshëm në zyrën time bashkë me deputetin dhe shtetasin tjetër, në përpjekjen për t’i bindur të pranonin rrugën ligjore.

Ndërsa Drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe Drejtori i Tiranës, kanë pritur në mjediset e Ministrisë së Brendshme, për të qenë të gatshëm për fillimin e procedurave në rast se Tom Doshi dhe zotëria tjetër do të pranonin të kallzonin ose depononin. Takimi ka zgjatur rreth një orë, gjatë të cilës Tom Doshi tregonte ngjarjen ndërsa vrasësi i pretenduar, përgjithësisht pohonte fjalët e deputetit ose shprehej se nuk donte të deklaronte. Sipas atyre që ky i fundit deklaroi, Z. Fatjon Skënderi i kishte dhënë atij një shumë parash për të vrarë Tomën, dhe shumën tjetër do i’a jepte më vonë.

Madje tha se kishte kërkuar më shumë para për ta hequr qafe Tom Doshin dhe se kërkesën për të shtuar shumën e parave, Fatjon Skënderi e kishte konsultuar me Z. Agim Rama, në prezencë të Agron Kulicit dhe Eugen Becit që gjendeshin tek një tavolinë tjetër e lokalit Viva në zonën e Bllokut, ku sipas Tomës mblidheshin organizatorët e vrasjes së tij. Sipas tij i ishin premtuar 200 mijë euro por ky kërkonte 500 mijë dhe gjithnjë sipas tij, tavolina tjetër e kishte miratuar kërkesën. Gjatë këtij rrëfimi, në zyrën e Ministrit të Brendshëm, është edhe momenti i parë kur del emri i Kryetarit të Kuvendit, Z. Ilir Meta. Tom Doshi i kërkon në formë nxitëse vrasësit të pretenduar të thotë diçka lidhur me dikë dhe zotëria thotë se sipas tij ai kishte dijeni se porositësi i interesuar ishte Ilir Meta. Pas shumë pyetjesh lidhur me nga e kishte dëgjuar ai këtë, vrasësi i porositur, pohoi se këtë e kishte dëgjuar nga shtetasi Fatjon Skënderi të cilit i’a kishte thënë shtetasi Agim Rama. Gjithashtu me sugjerim të Tom Doshit, zotëria pohoi se në lokalin Viva në zonën e Bllokut ai kishte shkuar disa herë dhe grupi organizator ishte gjithnjë aty, në të njëjtën tavolinë.

Pikërisht në njërën prej këtyra vajtjeve, nga tavolina e Agim Ramës, Agron Kuliçajt dhe Eugen Becit, atij i kishte ardhur po nëpërmjet Fatjon Skënderit edhe porosia për të eliminuar fizikisht deputetin Mëhill Fufi. Për të cilin Fatjon Skënderi i kishte thënë se do të merrte 100 mijë euro dhe porosia vinte nga Ilir Meta përmes Agim Ramës. Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është ofruar me një shpjegim të hollësishëm mbrojtje e posaçme dhe statusi i dëshmitarit të mbrojtur, por zotëria është shfaqur kategorik në refuzimin e tij. Madje ka pohuar më shumë se një herë, që nuk donte fare të ngatërrohej me këtë punë dhe kishte ardhur vetëm pse deputeti kishte këmbëngulur të bënte një takim me mua si Ministër i Brendshëm. Gjatë atij takimi, i është kërkuar disa herë vrasësit të pretenduar të japë qoftë edhe një fakt të vetëm për të provuar thëniet, qoftë edhe motorin ku kishte vendosur eksplozivin, apo çdo fakt tjetër sado dytësor, por ai ka deklaruar se nuk disponon asnjë fakt përveç fjalëve të tij lidhur me grupin organizator të vrasjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka mbajtur shënime të cilat mund ti duheshin policisë për hetimet paraprake që kishte nisur kryesisht. Shtetasi është larguar bashkë me Tomën pa pranuar të thotë gjë më shumë, dhe duke këmbëngulur që as donte të depononte e as donte të bëhej pjesë e hetimeve. Për këtë takim dhe gjithçka dëgjova së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm informova menjëherë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Prokurorin e Përgjithshëm, të cilët i kam mbajtur në komunikim të vazhdueshëm për ecurinë e veprimeve të policisë në këtë drejtim. Pak kohë më pas, deputeti Tom Doshi më ka ritakuar dhe më ka deklaruar se dispononte pajisjen eksplozive. Për cilën as ka pranuar marrjen procedurialisht nga Policia e Shtetit dhe as ka pranuar që policia të bënte veprimet përkatëse hetimore. Vetëm ka deklaruar se e kishte në bagazh të makinës dhe e kishte gjetur në rrugë private. Më tha se donte të ma sillte mua, por nuk kam pranuar pasi ky mund të ishte vetëm një veprim hetimor që duhet ta kryente ekskluzivisht Policia e Shtetit.

Gjithashtu, që prej momentit që jam vënë në dijeni nga Z. Doshi, i kam kërkuar të më vërë në dispozicion, mua dhe Policisë së Shtetit, pamjet filmike ku pretendohet se vrasësi i pretenduar rrëfen ngjarjen. Megjithë këmbënguljen time, këto pamje filmike nuk më janë vënë kurrë në dispozicion. Gjithashtu i kam ofruar Z. Doshi, të gjithë mbrojtjen ligjore dhe garanci maksimale për sigurinë e tij, gjë që nuk është pranuar asnjë herë prej tij. Nga tërësia e veprimeve dhe bazuar në konkluzionet e hetimeve paraprake më iniciativë të vetë Policisë së Shtetit, në mungesë të plotë vullneti të Tom Doshit e të vrasësit të pretenduar për të kallzuar apo deponuar ligjërisht, gjithçka deputeti pretendon na rezultoi pa asnjë bazë të arsyeshme.

Këtë përfundim i’a kam përcjellë kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu siç i’a kam thënë sigurisht edhe deputetit Tom Doshi. Por po ashtu, e kam siguruar vazhdimisht Tom Doshin se në çdo moment që ai do të sillte ndonjë provë apo fakt më shumë, ne ishim tërësisht të gatshëm të hetonim në çdo aspekt. Ashtu siç të gatshëm jemi edhe sot. Kjo është kronologjia e ngjarjeve që lidhin këtë histori të shëmtuar të ditës me mua si Ministër i Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.

Sipas nesh, bazuar në qasjet, provat dhe faktet e disponuara deri sot, askush nga personazhet e përfshirë në rrëfimin e tij të derisotëm nuk ka organizuar një vrasje të Tom Doshit, por theksoj se për këtë çështje ka hetime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, të cilat pritet shumë shpejt çdo dyshim të hedhur në publik. Kush dhe pse e ka sajuar këtë farsë mbetet një çështje tjetër”.

0 0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

'